E Diel, 1 Nëntor 2026

Orik Shyti-Berishës: “Vërteto akuzat për ndërtim pallatesh”

Autori i Lajmit: RedaksiaOrik Shyti ka reaguar përmes një letre të dytë drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkon që ky i fundit të vërtetojë akuzat ndaj “hakmarrjes për drejtësi” për përfitim leje pallatesh në kryeqytet. “Fitimet nga pallatet e Hakmarrjes... të shkojnë për fëmijët jetimë të Tropojës.
Letër
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë
Zotit Sali Berisha
Zoti Kryeministër, opinioni i gjerë i njeh marrëdhëniet që ju keni krijuar me ne, qysh nga 16 tetori i vitit 1996. Zgjedhja juaj për të mos na përmendur drejtpërdrejt, që përfshiu periudhën 1997-2002, shkaktoi një farë harrese. Por ata që harruan ishin të paktë dhe ju smund të mbani përgjegjësi për pamundësinë e tyre për të lexuar emrin “Hakmarrja për Drejtësi” nën mbulesën e shprehjeve tuaja aluduese. Ju smund të mbanit përgjegjësi as kur sejmenët flisnin e shkruanin për pritën që po ju zinte “Hakmarrja” ditën që po vizitonit Vlorën (pas 1997) e plotë të tjera. Kjo gjendje nuk zgjati shumë. Më 12 shkurt 2003, durimi juaj u sos. Sapo dëgjuat vendimin e gjykatës që pushonte akuzat e ngritura kundër nesh, i mënjanuat sejmenët dhe me sigurinë e burrit që e di mirë se çfarë duhet thënë në mexhlis, deklaruat se edhe gjyqtarët që gjykuan çështjen ishin anëtarë të “Hakmarrjes”, dhe i përsëritët të gjitha akuzat e 16 tetorit 1996. Që nga ajo ditë nuk ia besuat askujt fshehjen e krimit që kishit kryer ndaj nesh. Rifilluat dhe skeni ndaluar. I shqiptuat me gojën plot edhe një pjesë të akuzave që më parë i kishit shprehur me aludime, kurse sejmenët ua kishin hequr mbulesën gjuhësore në kohën e duhur. Ngritët edhe akuza të reja. Na keni akuzuar se kemi vrarë e rrëmbyer persona, kemi vjedhur votat e partisë tënde dhe se për këto krime po shpërbleheshim nga qeveritarët e partisë tjetër me sheshe për ndërtim pallatesh. Nuk ka çështje më të përfolur e më të përdorur nga ju personalisht sesa “Hakmarrja për Drejtësi”, që ne e kishim “krijuar me karakter të qartë politik… me mision funksionimin në bazë të një strukture të përcaktuar… me qëllim destabilizimin e rendit publik nëpërmjet shkatërrimeve me mjete të rrezikut të përbashkët të objekteve shtetërore e firmave të mëdha private, vrasjen e personave me detyra të larta shtetërore, vrasjen e punonjësve të policisë e të drejtësisë, grabitjen e bankave… etj. Kryerja e këtyre akteve synonte të krijonte imazhin që demokracia është krim, siç deklaron Leart Shyti gjatë hetimit…”. Kështu keni thënë më 16 tetor 1996. Akuzat e mëvonshme njerëzit i kanë të freskëta. Tani zgjedhjet i fituat, “Hakmarrja për Drejtësi” nuk jua vodhi votat dhe ju nuk jeni më viktimë, siç keni pretenduar në 10 vjetët e fundit. Jeni kryeministri i vendit dhe jo thjesht Sali Berisha që i di mirë të këqijat, por ska pushtet ti luftojë. Njerëzit presin që të mbani premtimet dhe është normale që në programin qeverisës të 100 ditëve të para të përfshini edhe çështjen e “Hakmarrjes”, si një nga problemet që ju ka shqetësuar më shumë. Por, për të mos ju vënë në vështirësi, se, siç thoni e thonë, keni ndryshuar (medemek do respektoni ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve, veçanërisht atë gjyqësor), dhe për të mos u keqkuptuar nga ata që besojnë se pushtetet janë të ndara dhe ju si kryeministër nuk mund të përziheni në punët e të tjerëve, po jua thjeshtojmë punën. Sqarojmë se nuk e kemi fjalën që brenda 100 ditëve ti tregoni opinionit procesverbalin me fjalët “demokracia është krim”, planet, kodet e platformat kriminale që keni thënë se na i kapët bashkë me armët, eksplozivin, 1 milion dollarët dhe planin për vrasjen tuaj, të cilin nuk e paskëshim realizuar se atë ditë që do ta zbatonim, honxhobonxhot e tu na arrestuan dhe ty të shpëtuan, sepse këto e shumë të tjera nuk i janë paraqitur asnjë gjykate dhe koha i ka bjerrë disa mundësi për falsifikime të reja. Zotëri, ju keni ngritur aq shumë akuza kundër nesh, sa nuk kanë ngritur gjatë gjithë karrierës së tyre hermafroditët e vënë enkas në krye të organit të akuzës për të përmbushur vullnetin tuaj, duke i zyrtarizuar shumicën e tyre në dy faza. Por, fjalën e kemi vetëm për atë akuzë, vërtetimi i së cilës është në kompetencën e kryeministrit. Konkretisht, me dhjetëra herë na keni akuzuar botërisht se me paratë e krimit kemi ndërtuar pallate e vila tek ish-kinema “17 Nëntori”, pranë TV “Klan” e gjithkund ku të ka shkuar syri e mendja. Keni thënë se sheshet na i jepte kryetari i bashkisë dhe qeveria na mbronte. Tani jeni kryetari i qeverisë dhe i keni të gjitha mundësitë që akuzën ta vërtetoni. Keni shumë arsye ta bëni këtë, një prej tyre është se ne botërisht kemi thënë se ju jeni shpifës. Është koha që të tregoni se e mbani fjalën, zoti Kryeministër. Bëje këtë se ke për të mbetur atje ku e keni merak, në histori, si simbol i luftës kundër krimit të organizuar e të paorganizuar që vetë i nxitët me zell për të mbajtur medoemos e rimarrë, gjithashtu medoemos, pushtetin. Duke vërtetuar një akuzë fare të thjeshtë dhe tërësisht në kompetencën tuaj, do ti bindni njerëzit anë e mbanë se të gjitha akuzat që keni ngritur ndaj nesh janë të vërteta dhe epitetet poshtëruese të justifikuara. Edhe ne do ta mbajmë fjalën, gjithë vlera e pallateve le tu jepet jetimëve tropojanë që intrigat e tua i lanë pa baballarë. Ndoshta u lehtësohet ndopak mjerimi ekonomik dhe, ku ta dish, janë brez tjetër dhe nuk e kërkojnë gjakun. Shpresojmë se, për hatër të fjalës së dhënë, që është e vetmja lidhëse që lidh burrin, do ta përfshini në programin e 100 ditëve të para edhe zbulimin e “milionave të krimit që “Hakmarrja për Drejtësi” i ka përdorur për të ndërtuar pallate”. Kjo është edhe më e thjeshta akuzë. Të tjerat ju i keni vetë merak dhe nuk dyshojmë se fjala juaj do të shkojë në vesh të atyre që lajnë mëkatet tuaja, paçka se do duhet më shumë kohë, sepse nuk mund ti shkelni ligjet e Kushtetutën hapur si më parë me tërsëllëm e sokëllima. Këtu duhet të keni ndryshuar dhe këtë themi ta besojmë edhe ne.
Leart Shyti & Orik Shyti
(*) Shkrimi dhe letra, dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura, janë personale

Ky lajm është publikuar: 31/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›