Durrës, kapet me 4 doza heroinë për shitje, prangoset i riu
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 21- vjeçar, nën akuzën e prodhimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike. Burime zyrtare të policisë lokale pohuan se Henri Ikonomi, 21 vjeç, nga Durrësi është ndaluar nga forcat e antidrogës në momentin që po tentonte të shiste drogë.
Arrestimi i tij u krye në një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit të Durrësit. Efektivat e antidrogës bëjnë të ditur se në momentin e arrestimit gjatë kontrollit fizik të ushtruar, të riut i është gjetur një sasi prej 1.7 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë, e cila ishte e ndarë në katër doza, gati për t'u shitur tek klientët. 21- vjeçari, nuk ka pranuar se tregtonte lëndë narkotike, por ngulte këmbë se e kishte atë vetëm për përdorim personal. Por kjo dëshmi ka rënë menjëherë poshtë, vetëm pas provave të bëra publike nga Policia e Qarkut Durrës. Sipas tyre, i riu mbahej nën vëzhgim nga efektivat e antidrogës prej kohësh, pasi kishte informacione në rrugë operative se ishte një shpërndarës droge. Gjithashtu uniformat e policisë, vetëm pas kryerjes së analizave nga ana e mjekut ligjor, kanë arritur në përfundim se i riu nuk ishte përdorues droge, duke e hedhur në mënyrë përfundimtare versionin e ngritur prej tij. Pas arrestimit të Ikonomit, efektivë të policisë kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm edhe në banesën e 21- vjeçarit, në lagjen numër 8 Durrës, ku oficerët e policisë nuk kanë arritur të gjejnë lëndë narkotike. Kjo ka bërë që policia e Durrësit të zgjerojë pistën e hetimeve, për të zbuluar edhe bashkëpunëtoret e të riut, të cilët mendohen të jenë pjesë e trafikimi të lëndëve narkotike, të cilët shërbenin për ndarjen e sasisë së heroinës në doza më të vogla për shitje.