Durrës, kapet një bande minorenësh
Durrës - Policia ndaloi sot një grup minorenësh, të cilat akuzohen për një grabitje të kryer disa ditë më parë. Nga burimet zyrtare të bluve bëhet e ditur se të miturit kanë grabitur dy shtetase gjermane, të ardhura në Shqipëri për turizëm. Dy turisteve u janë vjedhur 200 dollarë, 1 kamerë, 1 celular, si dhe pajisje të tjera që kishin me vete.
Megjithatë, mosha e vogël e të miturve të përfshirë në grabitje do të çojë në lirimin e tyre të menjëhershëm.
Rastet më të fundit tregojnë një rritje të numrit të personave nën 14 vjeç të përfshirë në vepra penale, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë jashtë hekurave për shkak të moshës së tyre të vogël.
Këta të mitur nuk ndihmohen as për t’u rehabilituar, për shkak se në Shqipëri nuk ekzistojnë prej kohësh qendrat e riedikimit.