E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa Lindore, Argjentina në Danub?

Nëse përzien Azinë Lindore të krizës së vitit 1997 me Amerikën Latine të vitit 2001, ka shumë gjasa që të dalë Evropa Lindore e vitit 2009. Tregjet financiare janë të tmerruara nga frika se një ose më shumë vende nga Evropa Lindore do të rrënohen nga borxhi i vet këtë vit.

Problemi më i madh qëndron në sistemet financiare, të cilat kombinojnë banka vendore të keqdrejtuara me degë të bankave perëndimore të keqmbikëqyrura. Gjatë viteve të suksesit, ky sistem gëlltiti kredi nga jashtë, duke krijuar vorbullën e deficiteve të llogarive korrente. Të dyja llojet e bankave tashmë kanë një portofol kreditimi të stërmadh - pasojë e kreditimit të pafund, portofola që në shumicën dërrmuese të rasteve janë në monedhë të huaj. Disa banka vendase kanë falimentuar; shumë prej bankave nën pronësi të huaja tashmë varen nga mungesa e dëshirës së bankave mëmë për t‘i financiar, ndërsa bankat mëmë kanë shumë probleme të tjera për të zgjidhur në shtëpi. Qeveria greke u kërkoi bankave të veta të tërhiqen nga kreditimi në Ballkan. Kreditë e austriakëve në Evropën Lindore janë të barabarta me 80 për qind të PBB-së së vet.

Nëse financat janë shqetësimi kryesor, kriza botërore ka shkaktuar edhe shumë probleme të tjera. Eksportet e mallrave drejt Evropës Perëndimore janë rrëzuar; remitancat nga emigrantët me siguri që do të bien. Ukraina, e cila varet nga eksporti i qymyrit dhe çelikut drejt Rusisë, duket se ka braktisur marrëveshjen që arriti me FMN-në për 16.4 miliardë dollarë kredi shpëtimi. Letonia, e cila gjithashtu u shpëtua nga FMN, parashikon 12% rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kolapsi në prodhim duket se është po aq i rëndë sa kriza aziatike e vitit 1997, por me një faktor edhe më të keq: Azia u rimëkëmb falë eksporteve, ndërsa Evropa Lindore nuk e ka këtë shans, sepse e gjithë bota është në vështirësi.

Çfarë mund të bëjnë qeveritë? Në shumë raste, politikat e ndërmarra duken joserioze. Vende si Polonia dhe Republika Çeke kanë ulur normat e interesit për të lehtësuar dhimbjen, por kjo gjë ka rrëzuar gjithashtu ///////////////monetar e tyre, duke shtuar agoninë për familjet që kanë kredi për shtëpi në euro apo franga zvicerane. Disa vende kanë edhe problemin shtesë të borxhit të jashtëm të stërmadh. Hungaria ka borxh të jashtëm në nivelin 100% të PBB-së. Por edhe ato vende që ndoshta besojnë të rrisin shpenzimet për të shmangur rënien ekonomike, janë përballë rrezikut të humbasin integrimin në eurozonë.

Për katër vende, tri vendet balltike, plus Bullgarinë, euro e fortë është një problem; ato kanë lidhur monedhat e tyre me të. Disa kanë frikë se do të përsëritet historia e Argjentinës, e cila u përpoq të ruante kursin fiks të këmbimit me dollarin, por u rrëzua në vitin 2001; ose që rënia e një monedhe në Lindje të përmbysë edhe të tjerët. Për sa i përket ndihmës nga jashtë, FMN mund të ndihmojë këto vende një për një, por jo të gjitha njëherësh. Banka Qendrore Evropiane, e cila nuk është një kredituese as për bankat brenda BE ka qenë përbuzëse ndaj propozimit për të kredituar Lindjen.

Keq për disa, shumë më keq për të tjerët

Një recesion i rrezikshëm duket i pashmangshëm, por katastrofa rajonale nuk është. Sa për fillim, të flasësh për "Evropën Lindore" është e pasaktë. Shqetësimet e bankave të Kazakistanit apo financat e Ukrainës nuk kanë shumë lidhje me vendet e tjera, të cilat janë të vogla, më të pasura dhe më të mirëqeverisura. Nëse Ukraina rrëzohet ose (ajo që ka më shumë mundësi), do të detyrohet të ristrukturojë borxhin e vet, nuk është e thënë se të tjerët do të preken. Megjithëse rajoni ka krijuar disnivele të dukshme zhvillimi, rezervat në valutë të huaj këtu janë shumë më të forta sesa ato të Azisë dhjetë vjet më parë.

Për vendet e Lindjes që sakaq kanë hyrë në BE, ekziston gjithashtu mundësia e ndihmës nga Perëndimi. Sistemet e tyre bankare janë shumë të ndërthurura dhe bankat e huaja nuk pritet të largohen. Vendet balltike përfituan së fundmi nga një garanci suedeze që mbuloi bankat suedeze në këto tri vende. Megjithëse BE dhe Banka Qendrore Evropiane nuk dëshirojnë të ndihmojnë Lindjen, ato do të detyrohen të veprojnë. Edhe politikani më dritëshkurtër i Evropës nuk mendon të dërgojë fqinjët e vet në anarki politike dhe ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›