E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria "vetëpunëson" 26500 fshatarë

Instituti i Statistikave ndryshoi së fundmi statistikat e të punësuarve të sektorin bujqësor, duke shtuar numrin e shqiptarëve të deklaruar "të vetëpunësuar në bujqësi" me afro 27 mijë vetë. Statistikat e reja tregojnë se plot 569 mijë shqiptarë punojnë në bujqësi, ndërsa më herët ky numër qe i pandryshuar në 542 mijë. Sipas sistemit statistikor kombëtar, çdokush që jeton në fshat, është i vetëpunësuar në bujqësi. Statistikat nuk marrin parasysh nëse këto njerëz kanë tokë të mjaftueshme për t‘u quajtur "të punësuar" apo jo. Zyrtarisht, vetëm 2% e afro 1.6 milionë shqiptarëve që jetojnë në fshat janë të papunë.

Ekspertët kanë kritikuar shpesh këtë lloj klasifikimi, duke e konsideruar atë si krejtësisht të palogjikshëm. Shqipëria ka afro 400 mijë hektarë tokë të punueshme dhe rreth 380 mijë lopë. Këto burime ekonomike janë të pamjaftueshme për të punësuar 570 mijë vetë.

Ndërkohë që në fshat papunësia është zyrtarisht 2%, në qytet rezulton 28%. Por në total, për shkak të klasifikimit të fshatit si i "vetëpunësuar", si dhe si pasojë e përjashtimit të një gjysmë milioni shqiptarësh si "të papunë të pashpresë", norma e papunësisë ulet në vetëm 13%, shifër kjo e lakmueshme nga shumë vende.

Rritja e punësimit

Sipas statistikave të publikuara së fundmi, deri në shtator ‘08, sektori privat jobujqësor dhe sektori publik numëronin 401 mijë të punësuar. Në këtë kategori hyjnë të gjithë shqiptarët që derdhin kontribute te sigurimet shoqërore. Në krahasim me shtatorin ‘07, numri i të punësuarve është rritur me 1.93% pavarësisht se Prodhimi i Brendshëm Bruto deklarohet të jetë rritur me 9.9%. Zakonisht, rritja ekonomike shoqërohet me krijim vendesh të reja pune dhe për pasojë, njëri nga dy treguesit ka shumë gjasa të jetë i pasaktë.

Të papunë, të pashpresë

Numri i njerëzve të aftë për punë në Shqipëri llogaritet në 1.1 milionë vetë, por ndërkohë, popullata më e madhe se 24 vjeç dhe më e vogël se 65 vjeç, është 1.6 milionë vetë. Diferenca prej gjysmë milioni shqiptarësh konsiderohet jo thjeshtë e papunë, por edhe e pashpresë për të gjetur punë e për rrjedhojë, nuk hyjnë fare në statistika. Këto janë kategoria e njerëzve të cilët, sipas qeverisë, "nuk kërkojnë punë, sepse besojnë se nuk ka", ose që thonë se "rrinë në shtëpi për të rritur fëmijë".

Më 2008 nuk u rritën pagat

Paga mesatare në sektorin publik pësoi një rritje prej vetëm 1.24 për qind, sipas statistikave të INSTAT, një nga rritjet më të ulëta në vite. Pavarësisht fushatës së gjerë publicitare për rritje të pagave dhe pensioneve që nga 1 korriku i vitit të kaluar, statistikat tregojnë se në tremujorin e tretë, paga mesatare bruto në sektorin publik qe 36100 lekë. Ndërkohë, paga minimale ligjore, një mekanizëm që përdoret nga qeveria para së gjithash për të rritur të ardhurat e Sigurimeve Shoqërore, u rrit me 21% duke arritur në 17 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›