Durrës, kreu i Qarkut: Protesta e bashkisë, "lojë nervash" e Dakos
DURRES - Këshilli i Qarkut të Durrësit e cilëson krejtësisht të pakuptimtë dhe të pajustifikuar protestën e bashkisë, ndaj të ashtuquajturit "cenim të autonomisë vendore nga qeveria". Sipas kryetarit, Seit Kërtusha, ajo që po bëjnë socialistët e Bashkisë së Durrësit është vetëm një "lojë nervash e Vangjush Dakos". "Këto nuk zgjidhen as me protesta dhe as me të bërtitura", tha Kërtusha duke argumentuar se granti i Bashkisë së Durrësit nga ana e qeverisë së djathtë është 8-fishuar në vlerë monetare në pak vite. "Në vitin 2003, Bashkia e Durrësit e ka pasur grantin nga qeveria vetëm 62 milionë lekë. Në vitin 2009, ky grant ishte 4 milionë euro", tha kreu i Këshillit të Qarkut, i cili me shifra konkrete argumentoi se protesta e socialistëve të Bashkisë së Durrësit është një absurditet në dëm të qytetarëve. Sipas kryetarit të Qarkut, Bashkia e Durrësit duhet të rishikojë administratën e fryrë për të realizuar investimet. "Struktura e bashkisë nga viti në vit po fryhet me punonjës. Ajo po keqmenaxhohet. Bashkia e Durrësit në vitin 2008 -2009 ka pasur në dispozicion 13 milionë euro dhe nëse themi se 4 milionë kanë qenë nga granti i takon që 9 milionë të tjera i ka të ardhura bashkia. Kjo është vetëm 60% e vlerës totale. Pikërisht këtu duhet të shikojë bashkia ku ka rrjedhje dhe ku ka evazion fiskal, ku ka mundësi të rrisë portofolin e shërbimeve, që t'i rrisë këto të ardhura deri në 12 milionë euro. Një bashki që ka këto të ardhura e ka të papërfillshme grantin e qeverisë. Mjafton që të ulet Dako dhe të shikojë ku ka evazion dhe ku ka mundësi për të rritur shërbimet, kualitetin, ku ka mundësi për të rritur të ardhurat. Vetëm sot ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit në Durrës ka 500 punonjës. Kjo ndërmarrje i merr para, bashkisë pa fund, ndaj do të ishte më mirë që ky shërbim të privatizohej", pohoi Kërtusha. Sipas tij, bashkia ka marrë investime të rëndësishme për këtë vit nga qeveria, si për ndërtimin e unazës së Plazhit, Shkozetit dhe rrugën e Porto-Romanos.
Për të tretën ditë rresht punonjësit e bashkisë kanë protestuar para këtij institucioni me kërkesën për moscenim të institucioneve vendore nga qeveria dhe penalizim të ardhurash nga granti i qeverisë. Socialistët pretendojnë se bëhet fjalë për 1,7 miliard lekë të vjetra, që i pakësohen të ardhurave të bashkisë nga këto vendime. Sipas tyre, të ardhurat e Bashkisë së Durrësit janë rreth 25 për qind më të ulëta për vitin 2010. o.u