Rama: Jo debat me Berishën pa u hapur kutitë
Hapja e kutive kthehet në kushtin universal të opozitës socialiste. Një ditë pasi Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i ka drejtuar ballazi një ftesë për debat publik, kreu socialist Edi Rama është kundërpërgjigjur me një ‘Po’ të kushtëzuar nga një kërkesë deri më tani e papranueshme; hapjen e kutive të votimit. “Sfidat kanë radhë. Zoti Berisha është sfiduar prej 10 muajsh që të hapë kutitë që mban mbyllur. Sapo të hapë kutitë, unë do të pranoj të debatoj me të, ku të dojë dhe kur të dojë. Sepse vetëm hapja e kutive e çliron gjykimin e popullit me votë, ndërsa kur populli nuk është i lirë të gjykojë përmes votës, s'ka debat, por ka përballje mes tij dhe pushtetit të grabitur”, u shpreh Rama duke folur edhe në emër të popullit. Nga pikëpamja e komunikimit, përgjigjja e kreut të selisë rozë jep idenë se refuzimi i djeshëm i adresohet më shumë një ftese për takim sesa asaj për një debat publik; dy gjëra këto thelbësisht të ndryshme sidomos në situatën aktuale. është e kuptueshme që interesi i opozitës e kërkon një marrëveshje me pushtetin, e cila do të duhet të marrë në konsideratë disa kërkesa legjitime të saj. Përkundrazi një debat publik, që i paraprin konsensusit, do të konsumonte përmes përgjigjeve nismat e PS-së si argumente të ditës, duke e zbehur mediatikisht rolin e tyre politik. Në terma praktikë, përgjigjja e Edi Ramës për një debat publik me Sali Berishën mund të zbërthehet në një fjalë të vetme; Jo, çka i heq mundësinë këtij të fundit që ofrojë një seancë të re dialogu me opozitën. Një gjykim politik për këtë qëndrim të kreut të PS ka ardhur nga aleati kryesor i Berishës në ekzekutiv, ministri i Jashtëm, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. “Kjo do të thotë që ai i shmanget përgjithmonë debatit”, u shpreh numri dy i qeverisë, i cili ka lënë të kuptohet se e mbështet një ballafaqim mediatik mes dy drejtuesve kryesorë politikë në vend. Përballë këtij dueti politik, që po i mëshon manovrave për izolimin e opozitës, kreu i PS nuk ka ofruar rrugë tjetër përpos angazhimit për protesta. Në këtë kuadër, ai ka ripërsëritur akuzat e tij të përditshme, në drejtim të qeverisë që kësaj radhe lidhen me rritjen e kostos së shërbimit gjyqësor. “Tarifat e reja të miratuara së fundmi për shërbimet gjyqësore, të prokurorisë e të noterisë, sigurisht e të gjykatës, në disa raste janë 4- fishuar”, tha ai. Me shembuj konkretë, shifra dhe të dhëna që dëshmojnë për shtrenjtimin e shërbimeve bazë gjyqësore, kreu i opozitës sikurse gjatë gjithë këtyre ditëve, është shfaqur në rolin e një zëdhënësi politik, që flet dhe artikulon shqetësimet më elementare të çdo qytetari shqiptar. “...depozitimi i një padie në gjykatë shkon tani 120.000 lekë. Që do të thotë se një pensionist, i cili e ka pensionin në nivelin e taksës së padisë, duhet të rrijë një muaj pa ngrënë e pa marrë asnjë ilaç për të hapur një gjyq për një të drejtë të mohuar”, citoi ai. Esenca e këtij komunikimi të thjeshtuar që po eliminon rregullat tradicionale të një lloj protokolli, që i përmbahet raportit mes statusit dhe rëndësisë politike të çështjes, natyrisht që është rikonfirmuar te protesta e pritshme e 30 prillit. Denoncimet dhe akuzat, apeli dhe thirrja për të kundërshtuar janë përvijuar si forma të gjithanshme të mobilizimit që nuk po kursen së fundmi asnjë mjedis social, që preket apo ka marrëdhënie me veprimet e qeverisë në pushtet.
#