Durrës, legalizohen edhe 175 shtesa pallatesh
Procesi i legalizimit të ndërtesave pa leje në Durrës ka ecur mirë vetëm me shtesat e pallateve të ngritura para 1990. Ndërsa banorët e ish-Kënetës në 2 parcela, të cilat kanë studim urbanistik, nuk janë bërë të gjallë edhe pse kanë aplikuar pranë kësaj agjencie 2 vjet më parë për legalizim. Gjatë dy javëve të fundit, në Agjencinë e Legalizimeve dega Durrës janë legalizuar 175 shtesa pallatesh të ndërtuara pa leje pas viteve ‘90. Ndërsa vetë këto pallate janë ndërtuar përpara viteve ‘90. Drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Andi Lila, deklaroi se “në vazhdim të këtij procesi kanë treguar dëshirën dhe gatishmërinë për t’u legalizuar edhe pronarët e 90 pallateve të ndërtuara gjatë viteve të fundit, të cilët kanë kate shtesë, që nuk kanë qenë planifikuar në projekte”. Por ALUIZNI mbetet i shqetësuar se thirrjes së tij për legalizim nuk po i përgjigjen banorët e ish-Kënetës (bëhet fjalë për disa prej tyre), të cilët kanë ngritur banesat në dy parcela pranë rrugës hyrëse të Durrësit. Ata nuk i janë afruar pranë sporteleve të bankave për të paguar detyrimet fiskale në mënyrë që të legalizojnë shtëpitë e banimit. Këto parcela janë brenda një studimi urban, ndaj legalizimi është krejtësisht legjitim. ALUIZNI i ka dërguar thirrje pronarëve të 2000 banesave të ngritura mbi këto parcela, por ata nuk i janë përgjigjur thirrjes. Ndërsa në të gjithë ish-Kënetën janë ndërtuar mbi 10 mijë ndërtime pa leje.