E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turi paraelektoral, ministrat në komunat e largëta



Të gjithë drejtuesit e PD-së dalin në terren

Ministrat shoqërohen edhe nga deputetët

Ministrat e Partisë Demokratike kanë zgjedhur të ballafaqohen me qytetarët në komunat e largëta këtë fundjavë. Ndërsa fushata zyrtare do edhe pak kohë të fillojë, kjo nuk i ka penguar ministrat që të shkojnë në terren dhe të ballafaqohen me çdo hall të popullsisë në zonat më të largëta. Të shoqëruar nga deputetët e zonave, ministrat kanë bërë një bilanc me premtimet e dhëna në vitin 2005, si dhe mbajtjen e tyre. Njëkohësisht ata kanë premtuar më shumë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në kuadër të këtij turi, zhvilloi një takim me banorët e komunave Golem dhe Synej në rrethin e Kavajës. Patozi u ndal në veçanti në mbajtjen e premtimeve, kryesisht në investimet e bëra nga qeveria në katër vitet e fundit. Por ai bëri një krahasim me krahun tjetër politik, të cilin e cilësoi si pa program dhe ofertë politike. “Ne dyfishojmë pagat e mësuesve dhe infermierëve, dyfishojmë pensionet e ulëta në fshat, rrisim ndjeshëm ato në qytet, ulim taksat e miratojmë buxhete të dyta shtesë, ndërsa opozita thotë se në Shqipëri ka krizë”, - tha Patozi duke shtuar më tej se “kriza e vetme në Shqipëri është në kampin e Partisë Socialiste, dhe kjo krizë quhet Edi Rama”. Sipas tij, Rama po lëviz në Shqipëri me furgonë nga pas, pasi njerëzit nuk dalin ta takojnë. “Ndoqa me vëmendje mbledhjen që kishte organizuar kryetari i opozitës në Kavajë, por nga gjithë pjesëmarrësit në të nuk pashë asnjë nga bashkëqytetarët e mi. Sot opozita flet me gojën e një njeriu që merr dy, tre furgonë me njerëz nga Tirana dhe shëtit me to në gjithë Shqipërinë, duke zhvilluar mbledhje në salla të errëta e duke treguar përralla”, - deklaroi Patozi.

Njëkohësisht edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, zhvilloi takime në Komunën Pirg të qarkut të Korçës. I shoqëruar dhe nga deputeti i zonës, Edmond Spaho, ai u takua me banorë të zonës, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike. Bode tha se qeveria ka mbajtur premtimet dhe se investimet kanë qenë 6 herë më shumë se në 8 vitet e PS-së. “Mblodhëm 3.2 miliardë dollarë më shumë dhe ato i çuam në investime në infrastrukturë, në rritje pagash dhe pensionesh”, - deklaroi ai. Sipas Bodes, qeveria e djathtë do të vazhdojë rritjen e pagave dhe pensioneve edhe në mandatin e dytë të saj, për të përmbushur kështu një prej premtimeve kryesore që i ka dhënë elektoratit. Deputeti i zonës, Edmond Spaho, i quajti katër vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, një ndryshim të dukshëm, që vihet re jo vetëm në zonën e Korçës, por në gjithë Shqipërinë. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, vijoi një tur takimesh në zonën e tij elektorale, por edhe në zonat rurale, ku u takua me banorët e fshatit Qesarat, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës. Ruli zhvilloi edhe një takim me banorët në Komunën e Kurveleshit, ku u përqendrua kryesisht në problematikën që hasin zonat e thella, nga ku premtoi më shumë investime. Ai sulmoi ashpër Edi Ramën, të cilin e cilësoi si të uritur për korrupsion. “Politika e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk është politikë e re, por "uri e re" për të ndarë pasurinë e vendit, pasi ai është një karrierist i ri, por kurrsesi një politikan i ri. Politika e re është ajo që i shërben më mirë qytetarit për shkolla, arsimimin e fëmijëve dhe që afron Shqipërinë më shpejt me Evropën. Huqi i vjetër nën një lëkurë të re nuk është zgjidhje. Edi Rama në grazhdin e së majtës ka ngrënë, ndërkohë që tani nuk njeh askënd, por po na bën politikë të re”, - deklaroi Ruli në takim me banorët e zonave të thella. Por takime të gjera kanë zhvilluar edhe ministrat e tjerë si Jemin Gjana apo Sokol Olldashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›