E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Rihapet dosja "Basha"

Dosja do të rinisë nga fillimi dhe prova e parë do të jetë intervista e dhënë nga Arben Meçe për gazetën "Shekulli"


TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur që të rifillojë hetimet ndaj ministrit Lulzim Basha, i akuzuar për skandalin e korrupsionit në rrugën "Durrës-Kukës". Edhe pse Gjykata e Lartë, me vendimin e dy ditëve më parë, shpalli absolutisht të pavlefshme vendimin e përfundimit të hetimeve dhe kërkesën për gjykim të skandalit të rrugës Rrëshen-Kalimash, prokuroria ka deklaruar dje se do të rinisë hetimet nga e para. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët konfirmuan se me zbardhjen e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, do të regjistrohet procedimi penal nga e para në ngarkim të Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha dhe disa bashkëpunëtorëve të tij. Sipas këtyre burimeve, mësohet se si shtysë apo provë për rifillimin e hetimeve, do të përdoret intervista ish-drejtorit të Planifikimit të Territorit pranë Ministrisë së Transporteve z. Arben Meçe të botuar më 8 mars 2007 në gazetën "Shekulli". Gjithashtu, si provë të re për rifillimin e këtyre hetimeve, institucioni i akuzës, pritet të përdorë edhe raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH-së) mbi inspektimin e tenderimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, si pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë që pritet të përfundojë shumë shpejt.
"Gjatë ditëve në vazhdim, institucioni i akuzës do të presë zbardhjen e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të datës 10 prill 2009, ku janë shpallur të pavlefshme të gjitha veprimet hetimore e procedurale të kryera pas datës 6 nëntor 2008, datë e cila kishin përfunduar afatet hetimore ndaj personit nën hetim Lulëzim Basha e Andi Toma. Me zbardhjen e këtij vendimi penal dhe me përfundimin e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme do të regjistrojë procedimin penal ndaj shtetasit Lulëzim Basha, Andi Toma, Armand Teliti e Lejla Saraçi të cilëve me vendimin e Gjykatës së Lartë i është kthyer statusi i të pandehurve"-thanë burimet. Ato shtuan se nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të listës së personave përgjegjës për këtë skandal financiar që deri më tani kap një shumë prej rreth 230 milionë euro. Këto burime saktësuan gjithashtu, se hetimet do të fillojnë kryesisht, duke përsëritur shtysën e nisjes së hetimit nga gazeta "Shekulli", kopja e datës 8 mars 2007, ku ish-drejtori i Planifikimit të Territorit në Ministrinë e drejtuar në atë kohë nga shtetasi Lulzim Basha, z.Arben Meçe denoncoi aferat korruptive të kësaj ministrie me tenderët publikë. Në intervistën e Meçes së marsit 2007, denoncohej tenderi për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, si pjesë e rrugës Durrës- Kukës. "Gjykata e Lartë me vendimin e saj të tre ditëve më parë, nuk ka shpallur të pavlefshme asnjë nga provat që rëndojnë pozitën e shtetasit Lulëzim Basha, por, vetëm procedurat e vendimit të përfundimit të hetimeve dhe përpilimin e kërkesës për gjykim.
Kështu që, në procedimin e ri penal do të përdoren të gjitha provat e grumbulluara para datës 6 nëntor 2008, si ditë e përfundimit të afateve të hetimit të kësaj dosjeje. "Në mesin e këtyre provave të rëndësishme është dëshmia e ish-drejtorit Arben Meçe të dhënë para prokurorisë dhe akt-ekspertimi kontabël të kostos ekonomike të ndërtimit të kësaj rruge"- thuhet nga burimet zyrtare të akuzës. Ndërkohë, menjëherë pas shpalljes së pavlefshme të të gjitha veprimeve hetimore e procedurale të kryer pas datës 6 nëntor 2008 nga Gjykata e Lartë, kreu i hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani ka mbledhur prokurorët e çështjes në një analizë të hollësishme që ka zgjatur më shumë se tre orë. Aty janë diskutuar të gjitha faktet e grumbulluara dhe rrugën që institucioni i akuzës do të ndjekë pas këtij vendimi. Mësohet se pas kësaj analize, gjithçka i është raportuar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, e cila i ka dhënë dritë jeshile për rihetimin e çështjes nga e para.


Imuniteti i Bashës në Kolegjet e Bashkuara
TIRANË- Dilema e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me vendimin e heqjes së imunitetit të deputetit Lulëzim Basha qëndron apo jo në fuqi, pritet të zgjidhet në Këshillin e Mandateve ose në Gjykatën Kushtetuese në ditët në vazhdim. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët u shprehen se kjo gjë pritet të zbardhet me interpretimin që do t'i bëhet statusit të tij pas rifillimit të hetimit. "Heqja e imunitetit të deputetit Lulëzim Basha është bërë për shkak se ndaj tij janë ngritur dy akuza, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike. Për asnjërën nga këto veprat penale shtetasi Lulëzim Basha nuk është deklaruar i fajshëm apo i pafajshëm, për të cilat është kërkuar heqja e imunitetit. Kështu që ai vazhdon të jetë deputet pa imunitet edhe në hetimin e ri që do të fillojë. Por, nëse mbrojtësi ligjor i personit nën hetim apo vetë ministri Basha do ta kundërshtojë këtë duke u mbrojtur me imunitetin, do t'i kërkojmë Këshillit të Mandateve një interpretim, ose Gjykatës Kushtetuese",- thanë burimet e akuzës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›