Udhëzimi, riregjistrim për pronat e humbura në ‘97-ën
Humbja e dokumenteve në ‘97-ën, si plotësohen
Kopja origjinale, çelësi i rifitimin të pronës
Gjatë trazirave të vitit 1997 u dogjën edhe mjaft prej zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo komisioneve të pronave. Me rifillimin e punës u vu re se mjaft dokumente origjinale kishin humbur, ishin djegur ose vjedhur, duke bërë që mjaft qytetarë të humbnin pronësinë e tyre. Por në kuadër të dixhitalizimit të regjistrimit të pronësisë nga ana e zyrave të regjistrimit të pronave të paluajtshme, si dhe procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, ekziston një mundësi që qytetarët që humbën dokumentet në zyra, të rifitojnë edhe njëherë titullin e pronësisë. Mes agjencive të pronave dhe zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, tashmë ka një udhëzim që bënë të mundur kthimin e asaj që është humbur.
Udhëzimi në fjalë jep një shans për çdo të interesuar. Në momentin që jepej një titull pronësie, mbahej një kopje nga pronari, një nga Komisioni i Pronave dhe një nga zyrat e regjistrimit të pronave. Tashmë ka nisur procesi i riregjistrimit të pronave në mënyrë dixhitale, dhe çdo pronari, që i kanë humbur letrat në vitin 1997, ai mund ta rifitojë pronën, duke paraqitur në këto zyra dokumentin origjinal që ka pasur vetë. Me paraqitjen e dokumentit origjinal, sipas udhëzimit, bëhet shqyrtimi nga një komisioni i përbashkët për të parë në rast se ka përplasje. Në rast se nuk ka, personi që paraqet kopjen origjinale rimerr titullin e pronësisë. Por mund të ndodhë që për një titull pronësie mund të paraqiten dy të interesuar, madje me kopje origjinale të titullit të pronësisë dhe aktit të regjistrimit. Sipas udhëzimit në këtë pjesë, titullin e merr individi që ka dokumentin më të hershëm në datë. Pra atij që ka datën më të hershme në kopjen origjinale i takon prona, ndërsa tjetrit i konsiderohet si falsifikim. Pas vitit 1997, raportohen se janë bërë shumë vjedhje në këtë formë. Madje, disa prej drejtuesve kanë deklaruar se qëllimisht janë zhdukur titujt e pronësisë, për t’i vjedhur ato dhe kanë lëshuar tituj pronësie të rreme, por me firma ekzekutivë të rregullt, duke thyer ligjin në formën më flagrante të mundshme.
Prej disa vitesh me radhë, në raportet e Komisionit Qendror të Pronave është theksuar fakti i mungesës së dokumenteve, ndërsa vetëm një vit më parë është detajuar urdhri për sistemimin e kësaj çështjeje. Në një deklaratë të pak kohëve më parë, nëndrejtori i AKKP-së, Genci Çelo, do të deklaronte se u është kërkuar të interesuarve të paraqesin dokumentet për rishikim. “Ne kërkojmë konfirmim për të gjitha zyrat rajonale, për sa i përket dokumentacionit nëse është apo jo i plotë. Ka disa zyra rajonale që kanë dokumentacione të humbura apo të djegura gjatë trazirave të ‘97-ës. Për këto raste ka një vit e ca që ka dalë një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm, që i udhëzon për sa i përket plotësimit të këtyre dokumentacioneve”, - ka thënë Çelo. Me paraqitjen e kopjes merret edhe vendimi përkatës. “Do të bëhet ballafaqimi me informacionin që kanë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe agjencitë. ZRPP duhet të mbajnë regjistrimin e gjithë vendimeve që kanë marrë agjencitë. Faktikisht është në vendime të shkruara që një kopje i dërgohet zyrës rajonale”, - është shprehur nëndrejtori. Sipas tij, është e nevojshme që të bëhet verifikimi i të gjitha këtyre rasteve, pasi në këtë mënyrë do të ketë shmangie të rasteve abuzive. Edhe pse procedura shihet si proces vullnetar, kjo do t’i ndihmojë dhe vetë subjektet që të kenë dokumentacionin e plotë të pronës që kanë marrë me vendimin e agjencive rajonale.
Si po bëhet regjistrimi dixhital i pronës
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë të ditur se ka nisur procesi për regjistrimin e pronës në formë dixhitale. Shqipëria ka të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme afër 4 milionë pasuri të paluajtshme. Të gjitha veprimet mbi këto pasuri aktualisht bëhen në mënyrë manuale. Për të kaluar në një fazë tjetër operimi, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kuadër të projektit LAMP (Land Administration and Menagement Project), ka filluar hartimin dhe implementimin e një projekti për të vënë në funksion sistemin e kompjuterizuar. Ky projekt po realizohet me ndihmën e specialistëve të Lantmateriet (Autoriteti Suedez për Pasuritë e Paluajtshme). Dokumentacioni i pasurive të paluajtshme është i ndarë në dy grupime. Dokumentacioni që i përket ende sistemit të vjetër të pasurive të paluajtshme, i cili si kriter kishte pronarin dhe Sistemi i Ri i Pasurive të Paluajtshme, i cili ka si kriter numrin e pasurisë. Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive ka në përbërje tre komponentë kryesorë; dokumentet ligjore, kartelën e pasurisë dhe hartën treguese. Sistemi i Ri është shumë më fleksibël dhe më i menaxhueshëm. Shqipëria është e ndarë në Zona Kadastrale dhe aktualisht jo të gjitha këto zona kanë hyrë në sistemin e ri, pasi jo në të gjitha është realizuar regjistrimi fillestar i pasurive, por edhe zonat që kanë kaluar në sistemin e ri, nuk e kanë të gjithë dokumentacionin të dixhitalizuar. Puna për dixhitalizimin e tyre ka arritur deri tek dokumentacionet e vitit 2003. Prandaj LAMP ka në fokusin e vet regjistrimin fillestar të pasurive, dhe përmirësimin e të dhënave dixhitale, për të arritur deri në ditët e sotme dhe për të krijuar mundësinë e përditësimit të dixhitalizimit të dokumentacionit. Projekti i plotë synohet të realizohet në tre vjet dhe është i ndarë në katër faza. Faza e parë ka të bëjë me perceptimin e sistemit dhe ndërtimin e një minisistemi prototip. Faza e dytë, me testimin e sistemit të ndërtuar dhe me bërjen e modifikimeve të nevojshme për t’ia përshtatur atë sistemit shqiptar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Faza e tretë, me implementimin e sistemit të kompjuterizuar fillimisht në 9 zyrat më të mëdha vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Faza e katërt, që do të shënojë përfundimin e projektit ka të bëjë me vënien në punë të sistemit të kompjuterizuar dhe trajnimin e stafit që do të përdorë sistemin. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e ka konsideruar këtë projekt si prioritar dhe ka angazhuar të gjithë resurset e veta për përfundimin me sukses të tij. Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka vendosur në dispozicion të grupeve të punës të gjitha resurset njerëzore, financiare dhe fizike, për ta përfunduar me sukses projektin e kompjuterizimit të sistemit.