E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Çdo i ri që kërkon punë, do të punësohet



Kryeministri takohet me të rinjtë e qytetit të Korçës

Mandati i dytë, prioritet punësimi i të rinjve

Kryeministri Sali Berisha vijoi dje turin e tij në qytetin e Korçës, ku zhvilloi një takim me mijëra të rinj të këtij qyteti. Në qendër të premtimeve të Kryeministrit Berisha për katër vitet në vijim, ishte punësimi dhe arsimimi i të rinjve. Lideri i mazhorancës së djathtë, i shoqëruar nga drejtuesi i të rinjve të PD-së, Gerti Bodgani, premtoi se në mandatin e dytë vendi do të jetë një kantier nga ku çdo i ri i aftë për punë, do të mbështetet nga qeveria e tij. “Jam sot para jush për t’ju thënë se Shqipëria në katër vitet që vijnë do të jetë kantieri juaj dhe se unë do të bëjë çdo përpjekje që çdo i ri që kërkon punë të mund të punësohet. Unë do të bëj çdo përpjekje që çdo i ri që krijon familje të ketë mundësi të krijojë strehën e vet”, - premtoi Berisha. Më pas, Kryeministri tha se arsimimi i të rinjve është përparësia e tij. Ai premtoi se të gjithë të rinjtë do të ndjekin shkollën e mesme, si dhe të gjitha shkollat do të rindërtohet me kushtet më moderne. Berisha tha se mbështetja për mësuesit në rritjen e pagave do të vijojë më tej. “Unë së bashku me ju do të zotohemi se nuk do të lëmë asnjë përpjekje pa bërë, se do të bëjmë çdo investim të nevojshëm që qoftë edhe një fëmijë që dëshiron të vazhdojë shkollën të mos mbetet pa shkollë të mesme, qoftë edhe një i ri që dëshiron të vazhdojë universitetin të mos mbetet pa studiuar në të. Shkollimi juaj është përparësia jonë”, - tha Berisha. Njëkohësisht ai premtoi më shumë studentë në shkollat tona të larta. “Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se në mandatin e dytë, në mandatin tuaj, Shqipëria do të numërojë 160 mijë studentë dhe studente”, - tha ai. Kreu i qeverisë bëri edhe një premtim të veçantë për studentët e talentuar. Ai tha se çdokush që fiton të drejtën për t’u shkuar në një nga 10 universitete më të mira të botës, do të financohet tërësisht nga qeveria e tij. “Unë ju ftoj të aplikoni në universitetet më të mira të Evropës dhe të botës, sado që të kushtojnë ato. Çdo i ri apo e re që fiton të drejtën për të ndjekur studimet në 1 nga 10 universitetet më të mira të planetit, atij do t’i jepet bursë nga qeveria shqiptare”, - tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, Berisha vuri theksin në realitetin e ri që ndodhet vendi si anëtar i NATO-s. Berisha tha se të rinjtë sot janë krenarë, sepse trashëguan nga e kaluara bunkerë, ndërsa sot qytetarët po gëzohen për vilat e tyre. “Sot ne kemi ditë feste dhe kemi të drejtë që edhe të krenohemi, edhe të gëzohemi, edhe të kënaqemi për veten dhe për vendin tonë. Rrugës duke ardhur këtu, më erdhi ndërmend diçka; mu kujtua se Shqipëria që trashëguam kishte 3 herë më shumë bunkerë sesa apartamente banimi për qytetarët e saj. Ndërsa Shqipëria që ne sollëm, Shqipëria që u ndërtua sipas ëndrrave tuaja, ka sot, me gjithë vështirësitë e saj, shumë më tepër vila sesa bunkerët e diktaturës”, - tha ai. Përpara të rinjve të PD-së në Korçë, por edhe gjithë të tjerëve në Shqipërisë, Berisha prezantoi Gerti Bogdanin si liderin e të rinjve demokratë. Sipas Berishës, Bogdani është një shembull, pasi u shkollua në një nga shkollat më të mira por u kthye në vendin e tij për t’i shërbyer. “Dhe tani dua t’ju paraqes ju, liderin e të rinjve demokratë shqiptarë, Gert Bogdanin. Gerti Bogdani është njëri prej jush, njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Kudo që shkoi, ai na përfaqësoi me dinjitet. Gerti studioi në njërin nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara dhe doli i pari në një mijë studentë. Ai u kthye nga dashuria e madhe për ju dhe për Shqipërinë”, - deklaroi Kryeministri përpara të rinjve korçarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›