Durres, "lume" te plagosurish
Rreth 70 te demtuar kane marre ndihmen e pare ne spitalin e qytetit bregdetar.
Shperthimi shkaktoi nje dridhje te vogel rreth ores 11:30 ne qytetin e Durresit, si te ishte nje termet 2-3 balle. Dicka pas mesdites, sirenat e automjeteve te policise rrugore, te policise se rendit, te autoambulancave dhe te veturave private dhane lajmin se prane autostrades Tirane-Durres kishte ndodhur nje tragjedi. I pari qe hyri ne qytet, me nje shpejtesi sketerre, rreth ores 12:10, ishte autobusi me targa DR 2078 E, i cili paraprihej nga dy motocikleta te policise rrugore, me sirena te ndezura.
AUTOBUSI
Personeli mjekesor, i lajmeruar per ngjarjen, kishte dale per te pritur te plagosurit, ndersa policia ishte e gjitha ne kembe, nen drejtimin e nendrejtorit te Policise se Qarkut te Durresit, Hamza Bodlli. Ndersa pasagjeret zbrisnin nje nga nje nga autobusi me fytyra te pergjakura dhe me ulerimat qe dilnin nga shpirti, te pranishmit filluan te kuptonin permasat e verteta te tragjedise. Personeli mjekesor i repartit te urgjencave u perforcua me mjeke dhe infermiere te ardhur nga pavijonet e tjera. U dha urdhri qe farmacia e spitalit te qendronte e hapur, ndersa sasi shtese furnizimi me garza, mjete te ndihmes se pare, si dhe medikamente baze u sollen ne repartin e urgjences. Deri rreth ores 14:00, automjete private, te shoqeruar nga policia rrugore, mberrinin njera pas tjetres, duke sjelle dhjetera te plagosur. Nderkohe filluan te mberrinin edhe autoambulanca nga Kavaja, Peqini, Rrogozhina dhe Lushnja, te cilat sillnin te plagosurit nga vendi i shperthimit. Rreth ores 13:00, ne spital mberriti edhe zevendeskryeministri Gazmend Oketa e me pas deputeti Ferdinand Xhaferri.
DESHMITARET
Ne autobusin qe mberriti plot me te plagosur ne repartin e urgjencave te spitalit te qytetit te Durresit, ishin edhe dy punonjese te Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Gazetarja Valdete Andoni dhe asistentja e drejtorit te Pergjithshem te RTVSH, Lutfije Ramaliu, ishin deshmitare te shperthimit te tmerrshem. Dy grate ishin nisur per te kaluar nje pasdite te kendshme ne bregdet, kur jane gjendur perballe nje "vullkani". "Po shijonim panoramen ne krahun e djathte te rruges, kur nga kodrat pame nje tym te zi, qe po ngjitej lart. Autobusi u drodh nga lekundja e tokes", tregon Valdetja, ndersa Lutfija shton se shperthimet e predhave u degjuan fare prane. "Shoferi shtoi shpejtesine, ndersa xhamat ishin thyer pothuajse te gjithe. Degjonim ulerimat e grave dhe femijeve. Ne nuk pesuam gje, por te tjeret u gjakosen. Ishte nje tmerr i madh".
MJEKET
Per disa ore me radhe, bluzat e bardha te spitalit rajonal te Durresit ishin tejet te impenjuar me pritjen e rreth 70 personave, qe erdhen per te marre ndihmen e pare. Rreth ores 13:30, shefi i repartit te urgjencave, dr. Arjan Tivari, nderpreu punen per pak minuta, per te informuar mediat ne lidhje me situaten. Ai beri te ditur se tre persona jane paraqitur ne gjendje te rende, 2 prej tyre me djegie dhe nje tjeter me demtim ne sy. Dr. Tivari shpjegoi se te plagosurit e tjere, mbi 60 persona, kane marre mjekim lokal, pasi kane pasur demtime siperfaqesore, ndersa njeri ka perfunduar ne kirurgji, pasi nje cope predhe i ishte ngulur ne ije. "Pjesa me e madhe e pacienteve vuanin nga gjendja ansioze, e shkaktuar nga tmerri qe pane me sy", shpjegon dr. Tivari, duke shtuar se pothuajse te gjithe pacientet u trajtuan me qetesues.
A. Aliu/K. Jaupaj