"Tmerri qe pame me sy"
Nder te paret qe ka marre ndihmen e pare dje, ne spitalin e Durresit, eshte 65-vjecari Njazi Kambo, pensionist, ish-oficer ushtrie. Ai tregon, per "Koha Jone", momentet e tmerrit qe ka pare me sy, ndersa predhat shperthenin, sikur te ishte nje lufte e vertete. I gjakosur sikur te kthehej nga nje fushe beteje, ushtaraku i vjeter eshte ende ne kembe.
Ku ndodheshit ne momentin qe ndodhi shperthimi?
Une isha ulur prane dritares, pikerisht nga krahu qe u degjua shperthimi. Isha nga mesi i autobusit, qe kthehej nga Tirana.
Sa persona ndodheshin ne autobus?
C'te te them... Ishte plot. Ne mos gaboj kapaciteti eshte 52 vende, por disa gra, femijet i mbanin ne preher, keshtu qe mund te kene qene edhe me shume.
Dukeni ne gjendje te mire shendetesore...
Po, kam pesuar vetem disa gervishtje nga xhamat e autobusit, qe u thyen dhe na rane mbi koke.
Cfare ndodhi ne momentin e shperthimit?
Ishte nje tmerr i vertete. Degjuam nje zhurme shurdhuese, ndersa brenda pak sekondash fuqia e vales goditese spostoi autobusin, theu xhamat dhe na detyroi te shtriheshim pertoke. Copa predhash fluturonin gjithandej. Njera fluturoi fare prane, por, per fat, ishte disa centimetra siper autobusit. Gra dhe femije filluan te ulerijne nga tmerri, ndersa copat e xhamave gjakosen te pakten gjysmen e pasagjereve, pasi erdhen me furi nga vala goditese.
Si arritet te dilnit nga "zona e nxehte"?
Ishte nje fat i madh per ne, qe shoferi i autobusit ishte i vjeter dhe me pervoje. Ndoshta nje tjeter do te tentonte te ngadalesonte qe te ruhej, ndersa me instinktin e tij ai i dha gaz dhe u larguam me shpejtesi. Rruges pashe se forca e vales goditese te shperthimit kishte shkaktuar deme te konsiderueshme ne fshatrat perreth, duke perfshire edhe ndertesa deri pertej Maminasit.
Si ushtarak i vjeter, a e keni nje ide se nga cili vend mund te vinte shperthimi?
Per mendimin tim duhet te kete qene nje repart i vjeter i tankeve prane Gerdecit. Me sa di une, ky repart vazhdon te jete ne funksion.
Bisedoi: Alket Aliu