E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, përmbytet Xhamia e Plumbit

Pavarësisht thirrjeve të herëpashershme, objekti i kultit, njëkohësisht mjet kulture është mbushur me ujë


Në gjithë qarkun ka probleme: një shtëpi është djegur nga vetëtima, një çati është shembur, arat janë përmbytur


SHKODËR - Reshjet e shiut të rëna në qarkun Shkodër kanë risjellë në vëmendje përmbytjen edhe të objekteve të kultit, siç është Xhamia e Plumbit.


Besimtarë që kryejnë ritet fetare në këtë objekt, monument kulture, kanë akuzuar shtetin, institutin e monumenteve të kulturës, por dhe drejtuesit e strukturave të besimit islam në Shqipëri për indiferencën ndaj këtij objekti, i cili prej shumë vitesh mbushet me ujë sa herë ka reshje.


Thirrësi në Islam, Muhamet Sytari, shprehet se fajtorë për gjendjen ku ndodhet ky objekt me vlera të veçanta kulturore e fetare, janë pushteti vendor, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe drejtuesit e Komunitetit Mysliman. "Ashtu siç u japim votën, i duartrokasim dhe mbushim sallat kur na thërrasin, ashtu duhet të protestojmë kur monumentet tona fetare e kombëtare lihen në këtë gjendje.


Për këtë situatë disavjeçare fajtorë janë bashkia Shkodër, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Myftinia Shkodër. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në Kabul, por nga ato që kam dëgjuar, rruga drejt këtij objekti me vlera kombëtare e monumentale i ngjan rrugës së Kabulit. Askush nuk ndërhyn. Ky është një problem që duhet t'i shqetësojë të gjithë, dhe jo të lihet në mëshirë të fatit. Ne duhet të revoltohemi për këtë",- thotë Sytari.


Ndërsa një prej besimtarëve që jetojnë në zonën ku ndodhet objekti, Mit'hat Myftija, kujton se më 16 nëntor përkujtohet në këtë objekt 19-vjetori i rihapjes së xhamisë së parë në Shqipëri pas ndalimit të fesë nga diktatura. "Në vend që në këtë ditë ky objekt të dekorohet me zbukurime, po dekorohet me ujë",- thotë ai.


Lidhur me fatin e këtij objekti, drejtori i Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini, shprehet se ka një projekt për drenazhimin e tokës ku ndodhet ky monument kulture dhe evitimin e ujërave që e përmbytin atë, por nuk ka fonde për të ndërhyrë.


Reshjet e shiut kanë shkaktuar shembjen e çatisë së një banese në lagjen "Çulaj" të qytetit të Koplikut. Çatia e banesës së Xhemal Çulaj me 6 anëtarë, është shembur, muret janë çarë dhe uji ka depërtuar në çdo dhomë të shtëpisë. Shembja e çatisë nuk ka shkaktuar viktima, pasi familjarët kanë mundur të dalin me shpejtësi jashtë.


Dëmet e shkaktuara në këtë shtëpi janë të konsiderueshme dhe aktualisht ajo është e pabanueshme. Kryefamiljarja Feride Çulaj kërkon ndihmën e pushtetit vendor, pasi shtëpia e saj është jashtë çdo funksioni dhe ata nuk kanë mundësi ekonomike për ta riparuar dhe as për të jetuar në një tjetër banesë.


Tre ditë më parë, si pasojë e reshjeve atmosferike dhe shkarkesave elektrike, një rrufe ka shkaktuar djegien e banesës së shtetasit Qamil Selaj po në qytetin e Koplikut, duke lënë pa strehë 8 pjesëtarë të kësaj familjeje.


Reshjet e shiut të shoqëruara dhe me erë të fortë kanë rrëzuar një depozitë uji të vendosur në tarracën e një prej pallateve 5-katëshe në qendër të qytetit të Koplikut. Depozita e ujit, një prej të shumtave që përdorin banorët e këtij qyteti, i cili e ka mjaft problem furnizimin me ujë të pijshëm, nuk ka shkaktuar dëme tek kalimtarët në momentin e rënies.


Dëmet në rrethin e Malësisë së Madhe i shtohen atyre të përmbytjes së tokave bujqësore në rrethin e Shkodrës, si pasojë e situatës së rënduar me reshje të shumta shiu të shoqëruara me furtunë. Mbi 10 hektarë tokë bujqësore që përfshijnë tre komuna të zonës së Nënshkodrës janë përmbytur totalisht, ku shkak është mosfunksionimi i kanaleve kulluese.

Tokat bujqësore të fshatrave të komunave Dajç, Velipojë dhe Berdice janë totalisht nën ujë. Mungesa e punëve në sistemimin e kanaleve kulluesve, vënia në funksion të plotë e hidrovorëve dhe pompave kulluese kanë qenë shkaktarët e kësaj situate.


Sipas drejtorit të bordit të kullimit në Shkodër, Muhamet Muça, "problemet vijnë nga derdhjet e lumenjve e përrenjve dhe duhet të lutemi (Zotit) që të pushojë shiu dhe besoj se ai do të pushojë patjetër".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›