E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, merr flakë anija cisternë, digjen dy marinarë

Një zjarr i rënë në bordin e anijes cisternë “Evangelos G”, ka sjellë alarmin e kuq në portin e Durrësit. 

DURRES/ OERD ULQINI

 Ngjarja ka ndodhur në orën 13:20, kur anija me flamur panamez sapo kishte nisur lundrimin. Cisterna me kapacitet 3020 tonë është gjendur mes flakëve, kur po lundronte ende në Gjirin e Durrësit. Afro 8 milje larg bregut janë dalluar shkëndijat e para të zjarrit në brendësi të mjetit lundrues. Në përpjekje për të shuar flakët dy anëtarë të ekuipazhit të saj mbetën të lënduar. Një gomone oqeanike, super e shpejtë ka bërë të mundur dërgimin e tyre në tokë brenda 7 minutave. Alban Lika dhe Bujar Bejko janë transportuar menjëherë në urgjencën e Durrësit, ku pas dhënies së ndihmës së parë janë transferuar drejt Repartit të Djegie-plastikës në Tiranë. Në bordin e anijes ndodheshin tetë marinarë dhe kapiteni i tyre. Ata janë detyruar të përballen me flakët që kanë rënë te motorët, si pasojë e shkëndijës elektrike. Kapiteni i “Evangelos G”, Lulëzim Nuhu, ka sinjalizuar Kapitanerinë e Përgjithshme të Porteve për përfshirjen e anijes në flakë, ndërsa ekuipazhi ka nisur të bëjë të gjitha përpjekjet për të shuar zjarrin. Pas dhënies së sinjalit SOS kapitaneria shqiptare i është drejtuar “Guardia”-s italiane për ndihmë e në pak minuta është nisur një motovedetë italiane si dhe dy motoskafë të Policisë Kufitare të Durrësit. Anija panameze kishte vetëm dy ditë që ishte përpunuar në Kalatën Lindore të karburanteve dhe pasi ka shkarkuar naftën është nisur bosh për lundrim në drejtim të portit të Vlorës. Paraprakisht mendohet se shkëndija në vatrën e zjarrit të jetë shkaktuar nga zhveshja e kabllove elektrikë të motorëve ndihmës dhe anësorë. Nga ana tjetër, temperatura e lartë me të cilën është përballur Durrësi në mesditë prej 37 gradë celsius, mund të jetë një tjetër shkaktar që ka favorizuar më pas përhapjen e flakëve nga salla e motorëve në pjesët e tjera të anijes, deri në kuvertë. Paralelisht me operacionin për shpëtimin e marinarëve të plagosur ka filluar edhe ai për shuarjen e zjarrin në bordin e anijes-cisternë. Rimorkiatori, anijet e pilotazhit, skafet e Guardia di Financës, Distrikti Detar i Bisht-Pallës, etj., kanë marrë pjesë në një operacion urgjent për shuarjen e zjarrit. Pas një përpjekjeje prej 30 minutash situata në “Evangelos G” është normalizuar, por anija ka vazhduar të qëndrojë në radë. Mësohet se si pasojë e flakëve anija ka humbur përkohësisht aftësinë vetëzhvendosëse. Motorët e saj kanë dalë jashtë përdorimit dhe tërheqja e saj deri në dy milje larg portit është kryer me rimorkiator. Pasi tri orësh rimorkimi me anije të tjera, “Evangelos G” është ankoruar dy milje larg portit, masë kjo e marrë në kuadër të sigurisë. Autoritetet nuk mund t’i japin lejen për futjen në port një mjeti, i cili mund të rrezikojë të tjerat.

Anija, transportuese karburantesh

“Evangelos G” për fatin e mirë të ekuipazhit ishte krejtësisht e zbrazur nga karburanti kur u përfshi nga flakët. Ky fakt ka shpëtuar ekuipazhin, por edhe Durrësin nga një katastrofë e mundshme njerëzore dhe ekologjike. Kapitaneria njofton se në orën 22:00 të datës 6 korrik anija-cisternë ka shkarkuar në Durrës 1226 tonë karburant. Pak minuta pas shkarkimit, ajo është nisur drejt radës në pritje të urdhrit të lundrimit për në Vlorë, port në të cilin do të ngarkohej me mazut (solar). Destinacioni i mëtejshëm i “Evangelos G” ishte porti turk i Nemrutit, ku duhet të shkarkonte mazutin pas katër ditësh. “Evangelos G” me nëntë persona në bord lundronte vetëm në Mesdhe, ku transportonte karburante të llojeve të ndryshme në linjat Turqi-Greqi-Shqipëri dhe anasjelltas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›