E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Diveroli në gjyq: Jam i pafajshëm për municionet

SHBA - Presidenti i kompanisë amerikanë AEY, Efraim Diveroli, i cili bleu municione kineze nga Shqipëria për të furnizuar forcat afgane, hodhi dje poshtë akuzat e ngritura ndaj tij para gjykatës në SHBA. 

Diveroli dhe bashkëpunëtorët e tij pritej të dilnin dje në gjyq për akuzën e mashtrimit të autoriteteve amerikane dhe shkeljen e ligjit federal, por sipas “The Associated Press”, ata nuk u paraqitën në kohën e përcaktuar. Gjykata amerikane në Florida i dha tri orë kohë 22-vjeçarit për t’u paraqitur në seancë përndryshe ai do të arrestohej përsëri. Prej disa ditësh që pas arrestimit të tij në Miami, Efraim Diveroli ndodhej në arrest shtëpie ndërsa po hetohej nga prokurorët federalë amerikanë për mashtrim të autoriteteve me heqjen e mbishkrimeve kineze nga arkat e municioneve, që bleu në emër të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për të furnizuar forcat afgane të sigurisë, kryesisht në Kabul. Një nga prokurorët që po hetojnë çështjen në SHBA është cituar dje nga të gjitha mediat amerikane duke thënë se, për akuzat e ngritura ndaj tyre, nëse ata shpallen fajtorë, Efraim Diveroli dhe bashkëpunëtorët e tij rrezikojnë të dënohen me tepër se dhjetë vjet burgim. Mediat amerikane vazhdojnë akoma të kritikojnë faktin se Departamenti i Drejtësisë i dha një tender me vlerë 300 milionë dollarë një kompanie me President 22-vjeçarin Diveroli dhe zv/president, një masazhator. Megjithatë sipas autoriteteve, në kontratën që Diveroli kishte nënshkruar me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, për furnizimin me municion të forcave afgane të sigurisë, thuhej se AEY duhej të siguronte “municion të dobishëm dhe të saktë” që nuk duhej të vinte nga “një kompani ushtarake e Kinës komuniste”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›