E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, edhe shefi i Krimeve nën hetim, pas plagosjes së rëndë

Altin Hadërit ende nuk i është hequr plumbi nga trupi. Të gjitha pistat e prokurorisë
Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lushnjës, Altin Hadëri, i cili u plagos mëngjesin e së hënës së shkuar, ka dalë nga gjendja kritike për jetën. Edhe pse prej dy ditësh ai është ngritur nga shtrati dhe po ecën me këmbët e veta, sërish në trupin e tij gjendet mjeti i fortë, që dyshohet se është plumbi i një pistolete artizanale. Kliti Gjerazi, mjek në repartin e Reanimacionit të Spitalit Rajonal të Fierit, shprehet për gazetën “Shqip” se Altin Hadëri është jashtë rrezikut për jetën.“Materiali që ne dyshojmë se është plumb, i ka mbetur në një ind të butë, që nuk i shkakton komplikacione. Ndërhyrja kirurgjikale i është bërë për pjesën më në rrezik, bark. Plumbi do t’i hiqet në një moment tjetër”, është shprehur mjeku Gjerazi. Ai ka thënë gjithashtu se vetëm grafi i janë bërë Altin Hadërit dhe skaneri apo një ndërhyrje më e specializuar do të tregojnë materialin e vërtetë që gjendet ende në trupin e tij e që e përsëris se mund të jetë plumb. Mjeku thotë se gjendja e Hadërit po përmirësohet dita–ditës dhe se shumë shpejt ai do të dalë nga mjediset spitalore.
Hetimet
Ndërkohë, në Prokurorinë e Fierit çështja e plagosjes së shefit të Krimeve është marrë në shqyrtim nga prokurori Shkëlqim Sinaj. Burime nga brenda prokurorisë pohojnë për gazetën se hetimi është përqendruar në disa pista. Akuzat e ngritura për autorit 32-vjeçar, Robert Genica, janë: “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Burimet të sigurta nga grupi i hetimit pohojnë për “Shqip” se po hetohet lidhur me njohjen e afërt të shefit të Krimeve dhe autorit të plagosjes së tij. Po këto burime nga grupi i hetimit pranojnë se po hetohet intensivisht lidhja që Hadëri dhe Genica mund të kenë pasur.
“Padyshim që po hetohet njohja e tyre qoftë një natë para ngjarjes, apo dhe më parë. Ajo që është vërtetuar deri tani lidhet me konfrontimin që të dy palët kanë pasur para shkrehjes së armës së zjarrit. Nëse vijimi i hetimeve do të tregojë për një lidhje dhe njohje të mëparshme, padyshim që nën hetim do të jetë edhe vetë shefi i Krimeve”. Kështu kanë thënë për “Shqip” burime nga brenda grupit të hetimit të ngritur me përfaqësues të policisë dhe prokurorisë së rrethit.
Pistat
Zyrtarisht nga Prokuroria e Fierit pohohet se aktualisht hetimet kanë mbetur te nata e para plagosjes së Altin Hadërit. Prokuroria ka siguruar të dhëna që Hadëri ka luajtur gjatë gjithë natës së diel, duke aguar e hëna, me autorin e plagosjes së vet. Loja e tyre, që dyshohet se ka qenë lojë bixhozi, i ka çuar palët në përplasje. Përplasja ka reflektuar me sherr mëngjesin e së hënës, ku dhe është shënuar plagosja e Altin Hadërit.
Ndërkohë që në Komisariatin e Lushnjës, ku Altin Hadëri kishte vetëm tri javë që ishte komanduar si shef krimesh, ende pozicioni i tij nuk është zëvendësuar. Nëse ecuria e hetimeve do të tregojë se ai ka qenë i përfshirë në lojëra bixhozi dhe se e ka njohur më parë autorin e plagosjes, atëherë ndaj tij pritet të merret një masë nga Komisioni Disiplinor. Ky i fundit mund të marrë edhe masa ekstreme, duke e larguar nga radhët e policisë inspektorin në karrierë, Altin Hadëri, që duhet thënë se ka qenë me dosje mjaft të pastër për afro 10 vjet që regjistron në policinë e Fierit.
Lidhur me autorin Robert Genica, policia është ende duke e kërkuar atë, ndërsa nuk ka arritur akoma në gjurmët e tij.
Altin Hadëri u plagos mëngjesin e së hënës shumë pranë banesës së vet, pranë një pike lotarish bastesh. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shqip” dy ditë pas ngjarjes, Altin Hadëri, ndryshe nga eprorët e tij, ka thënë se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën. Për lokalin e basteve ai ka pohuar se i përket të kunatit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›