Durrës, morën peng për borxhin, arrestohen 3 persona
>Tre persona me banim në qytetin e Lushnjës janë vënë në pranga nga policia e Durrësit për shkak se akuzohen për pengmarrje të një banori nga Durrësi. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur janë arrestuar Andrea Leka, 28 vjeç, Ismail Hamiti 47 vjeçc, dhe Arselona A., 20 vjeçe, që të tre banorë të qytetit të Lushnjës.
Ata u arrestuan pasi kanë rrëmbyer para disa ditësh në qytetin e Durrësit 37- vjeçarin Gazmir Leka, banor i lagjes 10 të qytetit të Durrësit, duke e mbajtur të izoluar për tre ditë me radhë në banesën e njërit prej personave të mësipërm në Lushnjë. Gazmir Leka është rrëmbyer para katër ditësh, në 17 janar në afërsi të Muzeut të Dëshmorëve në qytetin e Durrësit. Në këtë kohë, që të tre shtetasit e arrestuar kanë qenë me një makinë që kishin ardhur nga Lushnja dhe e kanë futur në automjet duke e dërguar në qytetin e tyre. Për tre ditë me radhë ai është mbajtur i izoluar në banesën e Ismail Hamitit, i cili është person me precedent penal për shkak se është dënuar një herë për vrasje të mbetur në tentativë. Denoncimi i zhdukjes së Gazmir Lekës është bërë dy ditë pas rrëmbimit të tij në policinë e Durrësit, në 19 janar. Të afërmit e tij kanë pohuar se ai është marrë peng dhe për lirimin e tij kërkohen 7 000 euro. Komunikimi është bërë me anë të telefonit, ndërkohë që pas denoncimit efektivat e policisë së Durrësit në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë bërë të mundur zbulimin dhe vendndodhjen e autorëve. Shkak për pengmarrjen ka qenë një shumë prej 7 000 euro, të cilën Gazmir Leka ia kishte marrë para dy muajsh njërit prej autorit të mësipërm. Arrestimi i personave në fjalë është bërë pas telefonatës së pengmarrësve në shtëpinë e tij, në Durrës. Për të zbuluar pengmarrësit janë përdorur metoda dhe mjete speciale hetimi, të cilat bënë të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e tre shtetasve. Grupi që ka kryer operacionin, ka sekuestruar automjetin me të cilin është kryer pengmarrja dhe dy telefonat celularë. Të tre personat e arrestuar akuzohen për veprën penale të rrëmbimit dhe mbajtjes peng për motive pasurore të personit, kryer në bashkëpunim.