E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, 6.8 vjet për 278 kile hashash

 

TIRANE – Tentativa për të trafikuar 278 kilogramë hashash drejt Greqisë do t’i kushtojë 6 vjet e 8 muaj burg. Klodian Basholli është deklaruar fajtor dje nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve”. Pasi ka dëgjuar pretendimet e palës mbrojtëse për pafajësi dhe asaj të akuzës për deklarimin e tij fajtor gjykata, vendosi fajësi dhe dënimin e tij me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie. Gjykimi ndaj Bashollit u krye me kohë të shkurtuar. Sipas kërkesës për gjykim, Basholli, në bashkëpunim me disa persona të tjerë ka tentuar të kalojë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë me ndihmën e një skafi 278 kilogramë hashash. Skafi me të cilin do të transportohej lënda narkotike është pikasur nga radari i vendosur në Ksamil natën e 15 shkurtit 2008. Pas këtij konstatimi Policia Detare është vënë në ndjekje të skafit të drejtuar nga Basholli. Pas rreth 1 orë e gjysmë manovrimesh skafi është braktisur pranë “Gjirit të Manastirit” dhe skafisti i ka shpëtuar policisë. Por ai është zbuluar nga shenjat e gishtërinjve të lëna në skaf dhe pak ditë më vonë është arrestuar.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›