E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesi hero, kërkohet heqja e emrit nga shkolla

 

BURREL/ HASAN PASHA

Heqja e emrave të dëshmorëve dhe heronjve nga institucionet është kthyer në modë në rrethin e Matit. Pas debatit për bustin e Skënderbeut nga qendra e qytetit të Burrelit, dje Këshilli Bashkiak është përfshirë në një tjetër debat të fortë. Administrata e bashkisë ka futur dje në rend të ditës heqjen e emrit të shkollës 9-vjeçare “Ilia Qiqi” dhe vendosjen e një emri tjetër të saj. Sapo kreu i këshillit ka informuar të pranishmit me relacionin e paraqitur nga Zyra e Arsimit dhe kulturës në bashki, për heqjen e emrit të heroit nga godina e shkollës, kanë reaguar këshilltarët e majtë, ata të PS-së, LSI-së dhe PDS-së. Fillimisht ata kanë drejtuar disa pyetje për hartuesit e projektit, për zhvillimin e mbledhjes së komisionit të arsimit, për shkaqet e heqjes së emrit të mësuesit të rënë në krye të detyrës në vitin 1974, Ilia Qiqi, etj. Përfaqësuesit e bashkisë nuk kanë arritur të sqarojnë këshilltarët në lidhje me hartuesit e projektit, por kanë thënë se bordi i nxënësve dhe kolektivi i mësuesve të kësaj shkolle ka dorëzuar në sekretarinë e Këshillit Bashkiak një kërkesë për ndryshimin e emrit të shkollës. Relatuesit nuk kanë dhënë detaje se cili mund të ishte emri i ri i shkollës, por burime jozyrtare thonë se ndoshta një variant mund të jetë dita e çlirimit të Kosovës. Ndërkohë këshilltarët që kundërshtuan relacionin e paraqitur janë siguruar se mbledhja e komisionit të arsimit nuk ishte zhvilluar, pra nuk kishte një projektvendim të përgatitur në “paradhomën” e Këshillit Bashkiak. Ndërkohë, as drejtuesit e bashkisë dhe askush tjetër nuk ka arritur të argumentojë shkaqet e heqjes së emrit të minoritarit që dha jetën në Mat, teksa shkonte te nxënësit e tij në Lis të Matit. Propozimi i këshilltarëve të majtë për heqjen nga rendi i ditës të kësaj pike është miratuar nga këshilltarët, duke u dhënë kështu mundësi “palëve” të përgatiten për miratimin ose jo heqjes së emrit të Ilia Qiqit nga shkolla. Nëse reagimi i këshilltarëve ka qenë më i moderuar, nuk është i tillë reagimi i ish-kolegëve të Ilia Qiqit. Ish-drejtori i shkollës, Selman Mila tha se “ndjente habi sesi Këshilli Bashkiak ka hyrë në një batak të tillë dhe merret me përçudnimin e figurave të shquara të arsimit”. Ai tregon se mësuesi 22-vjeçar i Matematikës, Ilia Qiqi kishte lënë vendlindjen në Zervat të Dropullit dhe mësonte fëmijët e banorëve të Lisit në Rrethin e Matit. “Sot dëgjova se individë të caktuar, që nuk e njohin arsimin dhe njerëzit e shquar, kanë ndërmarrë një akt barbar për heqjen e emrit të Heroit të Punës Ilia Qiqi nga godina e shkollës, emër që kjo shkollë e mbante prej 35 vitesh”, u shpreh Mila. Pritet që në ditët e ardhshme të rikthehet në Këshillin Bashkiak debati për emrin, pasi stafi i shkollës të japë një argument pse kërkojnë ndryshimin e emrit.

Një rrufe i mori jetën 22-vjeçarit
Ilia Qiqi, një djalë i ri minoritar humbi jetën tragjikisht me datë 14 tetor 1974 në fshatin Burgajet, teksa udhëtonte në këmbë nga Burreli për në Lis. Një shkëndijë rrufeje i mori jetën krejt papritur atij. Ish-drejtori i shkollës së Lisit në vitet 1972-1976, Selman Mila thotë se që dje ka biseduar me të gjithë ish-kolegët e Ilia Qiqit dhe të gjithë së bashku do të reagojnë para se Këshilli Bashkiak të marrë një vendim të gabuar. “Kjo është përbuzje për heroin tonë nga minoriteti. Ne nuk mund të harrojmë faktin se pas vdekjes së Ilias, vëllai i tij, Stefani e zëvendësoi atë, duke jetuar e punuar me matjanët për 17 vjet, deri në vitin 1991.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›