Zbulohen provat e dosjes “Gërdeci”
Trazhgim Sokolaj
Provat dhe faktet në të cilat u bazua Prokuroria e Përgjithshme për ngritjen e akuzave ndaj 30 të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, janë kryesisht dokumente të firmosura nga vetë të akuzuarit. Në fashikullin e hetimit të tragjedisë ndodhen edhe katër ekspertiza, për fishekët, predhat, akti kontabël përmbledhës për veprimtarinë e çmontimit në Gërdec dhe humbjet e shtetit si dhe raporti i hartuar nga agjentët e Byrosë amerikane për Drogën, Duhanin, Alkoolin dhe Zjarrin, ATF. Pjesa tjetër e materialeve të dosjes, janë deklarime personash që kanë qenë të pranishëm në ngjarje, ish-punëtorë të fabrikës së çmontimit, të mbijetuar, të plagosur, rrëfime nga personat pjesëmarrës dhe në dijeni të procedurave që janë ndjekur me dy kontratat e çmontimit dhe në fund, raportet për plagosjen e 300 personave dhe aktet e autopsisë së 26 të vdekurve. Fashikulli penal përmban edhe një ekspertim të Institutit Kombëtar të Banesave mbi dëmet e shkaktuara në objektet, që ndodhen në zonën e Gërdecit dhe zonat përreth deri në Vorë e Marqinet. Kjo është përmbledhja e dosjes penale për tragjedinë e “Gërdecit”, e cila edhe pse formale në dukje, ka vënë nën akuzë 30 persona, përfshi një ish-ministër, katër gjeneralë, tre kolonelë dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.
Akuza në qelitë
e 313-ës
Tre personat e arrestuar me akuzën e vrasjes së 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit, refuzojnë të firmosin aktin e fundit të Prokurorisë për dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë. Ish-drejtori i Ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari, biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji dhe ish-kreu i fabrikës së Gërdecit Dritan Minxolli, u njohën dje në qelitë e paraburgimit 313 me shkresën e përfundimit të hetimeve. Ata refuzuan të firmosin kërkesën për gjykim, e cila gjithsesi është nënshkruar nga avokatët e tyre, duke i dhënë kështu një nuancë proteste personale qëndrimit të tre të arrestuarve ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre për vrasje masive. Për herë të fundit, grupi i hetimit u komunikoi Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit të drejtën për të folur rreth tragjedisë për shkak se gjatë hetimeve paraprake 1-vjeçare, në asnjë rast ata nuk pranuan të flasin për tragjedinë. Burimet zyrtare thanë se prokurorët u përballën me të njëjtin qëndrim nga ana e të pandehurve, të cilët nuk kanë pranuar të bëjnë asnjë koment, përveçse të përsërisin deklarimet për pafajësi. Ata janë të akuzuarit kryesorë nga prokuroria, e cila pohon se Ylli Pinari si drejtori i ndërmarrjes së armëve dhe municionit, Mihal Delijorgji si ideatori dhe financuesi i aktivitetit dhe Dritan Minxolli si drejtuesi i punës dhe kontrollor i kushteve të sigurisë në punishte, janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjen tragjike të konsideruar si një nga më të rëndat e 10-vjeçarit të fundit në vendin tonë.
Defekti në kompjuter shtyn hetimin
Organi qendror i akuzës kaloi dje pragun e afatit maksimal kohor brenda të cilit mund të zhvillonte hetime ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Për këtë shkak, para ditës së djeshme, prokuroria është kujdesur që të njoftonte avokatin e ish-ministrit me provat kundër Mediut, si dhe me kërkesën për gjykim, pasi afati 6-mujor pas heqjes së imunitetit më 19 gusht 2008, përfundoi ditën e djeshme. Megjithatë edhe dje, Prokuroria e Përgjithshme vazhdoi me thirrjen e të pandehurve për t’u komunikuar provat, që ekzistojnë në ngarkim të tyre. Për shkak se ky veprim nuk ishte realizuar më parë, organi i akuzës ka qenë i detyruar, që në tejkalim të afateve t’i njohë të pandehurit me provat e akuzës. Veç të tjerave, mësohet se vonesa në veprimet e ditëve të fundit të Prokurorisë ka qenë pasojë e një defekti në kompjuterin ku janë depozituar informacionet kryesore të mbledhura gjatë hetimeve 1-vjeçare për tragjedinë.
Provat e dosjes “Gërdeci”
- Dokumente të sekuestruara në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes MEICO, Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandat dhe zyrat e Albademil
- Katër akt-ekspertime, për vendngjarjen, për dëmet në rajonin e prekur dhe për fishekët e predhat
- Deklarime personash me dijeni, të pandehur, ish-punëtorë në fabrikë dhe të mbijetuar
- Raporte mjeko-ligjore që faktojnë plagosjen e mbi 300 personave dhe akte autopsie mbi vdekjen e 26 të tjerëve
Prokuroria: Ministria fajtore me veprime, ushtarakët me mosveprime
TIRANE – Dy kontrata të nënshkruara mes ndërmarrjes MEICO dhe bashkimit të kompanive SAC-”Albademil” kanë formalizuar gjithë aktivitetin e çmontimit të fishekëve dhe predhave në Gërdec. Kontrata e parë e nënshkruar në fund të vitit 2006 i parapriu çmontimit të fishekëve ndërsa më pas, në vitin 2007 u nënshkruar kontrata e dytë për çmontimin e predhave. Në këtë kohë, mirëfilli në biznes hyri Mihal Delijorgji, i cili u përzgjodh nga ndërmarrja MEICO pa konkurrentë, për shkak të përjashtimit apo mosregjistrimit të subjekteve të tjera në procedurë. Në këtë mënyrë, kushtet e kontratës ishin të tilla që Gërdeci mbikëqyrej dhe menaxhohej nga ndërmarrja MEICO dhe pse në fakt, bëhej fjalë për një ish-repart ushtarak, i cili normalisht i përkiste ushtrisë dhe duhej kontrolluar nga kjo e fundit. Mirëpo kjo nuk ndodhi dhe në mungesë të kësaj, ndërmarrja MEICO toleroi firmën e Mihal Delijorgjit në kushtet e sigurisë mbi të cilat bëhej çmontimi. Pikërisht shkelja e rregullave të tilla me çmontimin pa pajisje, me barutin e depozituar pa rregull në të gjithë hapësirat e fabrikës dhe me predhat e hedhura shkujdesur, u bë shkak për shpërthimin e orës 12:05 më 15 mars 2008. Në këtë ngjarje, roli i ushtrisë ishte me më pak mundësi veprimi, por gjithsesi efektivat e FA-ve shkonin deri në Gërdec ku shkarkonin kamionët me të cilët furnizonin fabrikën private të Delijorgjit. Pikërisht për mosveprimet e kryera me dashje, duke mos denoncuar dhe lajmëruar për rrezikun që paraqiste çmontimi i municioneve në kushtet e Gërdecit, fajësohen edhe gjeneralët dhe zyrtarët e ushtrisë. Ndërsa ish-krerët e Ministrisë së Mbrojtjes, fajësohen për inicimin e aktivitetit të Delijorgjit dhe lejimin e kushteve që sollën pasojat katastrofike. tr.so
Dëm financiar me çmontimin e fishekëve dhe predhave
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme i akuzon zyrtarët e ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes se i kanë shkaktuar shtetit dëm të konsiderueshëm financiar me anë të kontratave që kanë nënshkruar me Mihal Delijorgjin dhe kompanitë në pronësi të tij. Vlerësimi për çmimin e fishekëve dhe predhave, si dhe për shërbimet që ushtria ka bërë në favor të tij, si transporti, mjetet dhe furnizimi janë bërë të gjitha në favor të fitimeve të Delijorgjit dhe me dëm financiar të konsiderueshëm për arkën e shtetit. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë disa ekspertiza për këtë dhe ka arritur në përfundimin se kushtet e dokumentacionit që formalizoi aktivitetin në Gërdec, janë caktuar me qëllimin për të krijuar mundësi dhe premisa fitimesh të mëdha nga kompania në pronësi të biznesmenit të arrestuar Mihal Delijorgji. Organi i akuzës ende nuk ka faktuar veprime korruptive nga të pandehurit, të cilët gjithsesi nga hetimet rezultojnë se kanë kryer një sërë shkeljesh dhe atakimesh ligjore në veprimet dhe mosveprimet e tyre. Sipas akuzës, dhënia me qira e ish-repartit ushtarak në Gërdec, çmontimi i fishekëve dhe i predhave dhe aktivizimi i ushtrisë në transport e furnizim, të gjitha kanë qenë me dëm ekonomik për shtetin.
Kontratat siç kërkoi Albademil
Hetimet e prokurorisë kanë konfirmuar se formulimi i urdhrave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kontratave të formalizuara nga ndërmarrja MEICO, nuk është bërë në zbatim të ligjeve dhe masave të sigurisë, por në zbatim të formulave dhe kushteve që kishte kërkuar kompania e Mihal Delijorgjit në aplikimet e saj.