PS-PD, heshtje për Kodin e ri Elektoral
Reforma Zgjedhore mbetet interes prioritar i partive të vogla. Një vit krizë politike dhe ballafaqim thuajse radikal mes dy forcave kryesore në vend, e kanë lënë të paprekur interesin e përbashkët për konservimin e një kuadri ligjor që siguron avantazhe thelbësore në raundet elektorale. Për këtë arsye, kërkesa për nisjen nga puna të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore vijon të mbetet axhendë zyrtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe e partive të tjera të vogla, që janë aleate të Partisë Socialiste. Konkretisht, në vijim të deklarimeve thuajse të përditshme të zyrtarëve më të lartë të LSI edhe dje sekretari për marrëdhëniet me publikun në këtë parti, Ardit çela, kërkoi aktivizimin e opozitës e veçanërisht PS në mënyrë që përmirësimet në Kodin Zgjedhor të bëhen realitet përpara muajit tetor, i cili është edhe kufiri fundor juridik që lejon ndërhyrje të këtilla. “U bëjmë edhe njëherë ftesë të gjithë aktorëve politikë, në mënyrë të veçantë opozitës dhe Partisë Socialiste, t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së LSI-së, njëkohësisht kërkesë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për t’u ulur në tryezën e bashkëpunimit, për të filluar sa më parë punën për reformën zgjedhore. E theksojmë edhe njëherë se opozita duhet të tregohet e përgjegjshme për rolin që duhet të luajë. Ky rol duhet të jetë konstruktiv, logjik dhe duhet të jetë në funksion të interesave të vendit”, u shpreh çela. Thirrjeve të vazhdueshme të LSI-së, PS u është përgjigjur me një refuzim i cili pasqyron qëndrime me prapavijë të thellë politike. Kushtëzimi nga PS i konsensusit për reformën zgjedhore me zgjidhjen e krizës politike, është përvijuar edhe si një ofertë për partinë e Ilir Metës, e cila ka shansin e një ndërmjetësi politik në këtë rast. Kjo pasi përmirësimi i Kodit Zgjedhor është gati jetik për LSI-në, e cila kërkon pjesëmarrje në administrimin e procesit zgjedhor, përfaqësim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe ndryshim të sistemit aktual elektoral, i cili penalizon ndjeshëm partitë e vogla. I të njëjtit mendim duket se është edhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili në një prononcim televiziv dje kërkoi “që PS të konsultohet me aleatët e vet”. Sipas tij, bashkëpunimi ndërpartiak nuk duhet t’i nënshtrohet spontanitetit, por të ngrihet mbi strategji të mirëfillta, të cilat bashkojnë interesin e të gjithëve. Ai është shprehur edhe njëherë kundër idesë së shkrirjes së partive të majta me PS, për shkak se reduktimi i aktorëve politikë e dobëson opozitën, pasi krijon idenë e një bashkimi formal që ul motivimin e elektoratit.
#