Durrës, mungesa e energjisë rrezikon falimentimin e bizneseve
Biznesi durrsak, në krizë nga kufizimet e stërzgjatura të energjisë elektrike. Biznesmenë të ndryshëm deklarojnë se mjedisi që rrethon biznesin është i papërshtatshëm dhe pak inkurajues për investime. Kufizimet e energjisë elektrike që kanë nisur këtë javë kanë dhënë sinjalet e para negative, ndërsa drejtuesit e tyre urojnë që të jenë të përkohshme e të mos shtrihen përgjatë të gjithë dimrit. "Humbjet ditore variojnë nga 200 në 300 mijë lekë të vjetra, ndërsa efekti mujor i këtyre ndërprerjeve për biznesin tim parashikohet të arrijë në gjashtë milionë lekë", thotë për "Shqip" administratori i një biznesi në Shkozet të Durrësit. E njëjtë është situata dhe për biznese të tjera të cilat flasin për ndikimet negative të këtyre kufizimeve. Sipas të tjerë biznesmenëve në qytet, të cilët aktivitetin e tyre e bazojnë kryesisht në prodhim, mjedisi që rrethon biznesin vazhdon të jetë i vështirë, kryesisht për shkak të ndërprerjeve të shumta të energjisë, të cilat shtrihen përgjatë të gjitha stinëve të vitit. "Jo vetëm kaq. Edhe infrastrukturat e dobëta, korrupsioni gjerësisht i përhapur, tregu i papërshtatshëm i tokës dhe pasurive të patundshme, kapacitetet administrative të kufizuara dhe siguria ligjore e pamjaftueshme për kompanitë ndikojnë negativisht për investimet dhe për funksionimin normal të ekonomisë së tregut të lirë", shton një tjetër biznesmen. Te të gjithë të kontaktuarit mbizotëron frika në deklarimin e hapur të shqetësimeve të tyre, pikërisht për shkak të këtij terreni të vështirë. Në Durrës, që nga e hëna e kësaj jave kanë rinisur orët e gjata të ndërprerjes së energjisë elektrike. Të paktë janë ata që besojnë se kufizimet 5-9 orëshe po bëhen për remonte në linja, siç është deklaruar zyrtarisht. I njëjti argument u dha edhe gjatë verës, kur sezoni turistik u godit me terrin e prodhuar nga Korporata Elektroenergjetike. Vitin e kaluar, dhjetëra subjekte mbyllën aktivitetin e tyre. Pronarë të subjekteve të tjera deklarojnë se do të detyrohen të ndjekin të njëjtën rrugë në rast se kriza energjetike do të vazhdojë. Kostot e saj janë tepër të larta, jo vetëm në shpenzimet plus që bëhen për të mbajtur aktivitetin me energjinë e prodhuar nga djegia e karburanteve, po dhe në shpenzimet konstante për pagat e punëtorëve, lëndën e parë dhe gjithçka tjetër që përfshihet në to. Ajo së cilës i tremben më shumë biznesmenët është pasiguria që prodhon mungesa e energjisë për zbatimin e kontratave të lidhura me klientët. Mosrespektimi i tyre mund t‘i bëjë të humbasin klientelën dhe detyrimisht kjo i çon drejt falimentit.