E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen orët e kufizimeve, afron kriza energjetike

Këto ditë, në rajonin e Qarkut të Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, vërehet një shtim i dukshëm i orëve të kufizimit të energjisë elektrike. Kështu, aktualisht për qytetet Peshkopi dhe Burrel, këto kufizime shkojnë nga 5 deri në 6 orë në ditë, nga 3 deri në 4 orë që ishte javën e kaluar. Sipas grafikut që disponojnë nënstacionet elektrike të këtyre qyteteve, orët e kufizimeve për secilin prej tyre janë nga ora 13:00 deri në orën 17:00 dhe nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Ndërsa më keq paraqitet gjendja nëpër fshatra, ku këto kufizime shkojnë deri në 14 orë në ditë, nga 10 deri në 12 orë që ishte javën e shkuar. Orët e kufizimeve për 125 fshatra të këtij qarku janë nga 07:00 deri në 16:00 dhe nga ora 24:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Por banorë të zonave rurale, përveçse vuajnë oraret e gjata të këtyre kufizimeve, përballen edhe me ndërprerje totale të energjisë në mjaft fshatra si: Kala e Dodës, Lurë, Ostren, Martanesh, Macukull, Xibër-Murrize etj., që vjen si ndëshkim nga KESH-i, pasi banorët e këtyre zonave kundërshtojnë pagesën aforfe të energjisë. Fakti që tashmë këto kufizime nuk mund të justifikohen me riparimin e linjave të transmetimit, siç ndodhte në muajt e verës, tregon se me afrimin e stinës së ftohtë të dimrit do të na duhet të përballemi me dukurinë e rikthimit të krizës energjetike. Kjo ide përforcohet po të kemi parasysh se gjatë këtyre ditëve kanë rënë si asnjë herë më parë prurjet e ujit në lumin e Drinit të Zi, që është dhe mbetet furnizuesi kryesor për vënien në punë të hidrocentraleve kryesore të vendit. Sipas specialistëve të ujit, prurjet e Drinit të Zi gjatë këtyre ditëve nuk i kalojnë 10 deri në 15 metra kub ujë në sekondë, ndërkohë që sipas një marrëveshjeje të nënshkruar midis shtetit tonë dhe ish-Jugosllavisë nuk duhet të jenë nën nivelin prej 30 metra kub për sekondë. Banorë të fshatit të Gjoricës në Rrethin e Bulqizës, ku Drini i Zi shërben edhe si vijë kufitare ndarëse mes vendit tonë dhe Maqedonisë, thonë për "Shqip" se prurje të tilla kaq të vogla të lumit nuk mbahen mend prej vitesh. Në këtë kohë, thotë 85-vjeçari Aqif Lleshi, nga ky fshat, ne kishim frikë nga vërshimet e lumit, pasi mund të na përmbyteshin tokat dhe shtëpitë, ndërsa sot Drini ngjan me një përrua. Gjithsesi, panoramës së zymtë për një rikthim të mundshëm të krizës energjetike i shtohen edhe humbjet e energjisë në rrjet, që vazhdojnë të jenë në shifra të larta, të cilat, edhe pse jo zyrtarisht, merret vesh se shkojnë nga 30 deri në 35 për qind, përfshirë edhe vjedhjet e amortizimin e linjave të transmetimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›