E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot KLD-ja vendos për dy gjyqtarët e Vlorës

Në rend të ditës është përfshirë për diskutim edhe kohëzgjatja e mandatit të kryetarit të gjykatës
Laureta Rryçi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të vendosë gjatë mbledhjes së sotme mbi kohëzgjatjen e mandatit të kryetarëve të gjykatave. Burime pranë KLD-së pohuan dje për gazetën “Albania” se presidenti Bamir Topi ka përcaktuar ditën e sotme si mbledhje të radhës, ku pritet të diskutohen disa çështje. Mbledhja e sotme pritet që të zgjasë për disa orë me radhë si ajo e kaluara për shkak se do të shqyrtohen dhe propozimet e ministrit për dy gjyqtarët e Apelit të Vlorës. Po kështu, pjesë e diskutimeve për mbledhjen do të jenë dhe analizat e gjykatave.
Gjyqtarët
KLD-ja pritet të vendosë sot për fatin e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Vlorës, Vasal Hanxhari dhe Sokol Ngresi. Për të dy këta gjyqtarë, ministri i Drejtësisë ka propozuar përjashtim nga radhët e Gjyqësorit. Të njëjtën masë disiplinore kërkoi në mbledhjen e kaluar edhe për kryetaren e kësaj gjykate, Gjinovefa Gaba. KLD-ja vendosi ta pranojë masën për Gabën me motivin për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga ministri i Drejtësisë. Në vend të saj u delegua Alma Liçaj, gjyqtare e Gjykatës së Apelit Vlorë, për të kryer përkohësisht edhe detyrën e kryetares së kësaj gjykate.
Mandati
Mandati i kryetarëve të gjykatave ka kohë që diskutohet në KLD për të bërë ndryshime. Në mbledhjen e sotme pritet që një nga diskutimet do të jetë pikërisht kjo çështje. Në disa gjykatat të vendit mendohet se ka gjyqtarë që prej vitesh mbajnë postin e kryetarit të gjykatës. Madje KLD-ja pati ngritur dhe grup pune për të hartuar propozimet që duhet të bëheshin ndryshimet.
Mbledhja
Vendimi më i fundit i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka përcaktuar se kush do të jenë gjykatat që do të monitorohen. Inspektorët e KLD-së tashmë e kanë marrë autorizimin ligjor për të inspektuar rreth 300 gjyqtarë që janë pjesë e trupës në këto gjykata. Anëtarët e Këshillit, pas shumë diskutimeve, kanë përcaktuar se gjykatat e të dyja shkallëve, Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe Korçës do të jenë pjesë e këtij inspektimi. Po kështu, lista e gjykatave varion me Gjykatat e Shkallës së Parë të Elbasanit, Vlorës, Gjirokastrës, Kurbinit, Matit, Kavajës, Lushnjës etj.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›