Mungojnë avokatët, shtyhet vendimi për të arrestuarit për drogë
Mungesa e mbrojtjes është bërë shkak dje për shtyrjen e seancës gjyqësore në ngarkim të katër personave, që akuzohen për "trafik të lëndëve narkotike, në kuadër te grupit të strukturuar kriminal". Në seancën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda ishte parashikuar dhënia nga trupi gjykues i vendimit përfundimtar për të pandehurit Gentjan Baba, ish-efektivin e Policisë Kriminale të Sarandës, Ylli Kapo, ish-punonjës i Policisë së Vlorës, Ermal Lika dhe Pelivan Mehmetaj. Por, mungesa e avokatit mbrojtës të njërit prej të pandehurve e detyroi gjykatën të shtyjë seancën pas dhjetë ditësh. Seancën e mëparshme, përfaqësuesi i prokurorisë, duke lexuar konkluzionet përfundimtare të hetimit, kërkoi dënimin me 12 vjet burg për të pandehurin Gentjan Baba, 13 vjet për Ylli Kapon, 12 vjet për Ermal Likën dhe 14 vjet burg për të pandehurin Pelivan Mehmetaj.
Personat e mësipërm u arrestuan në vitin 2006 nga forcat e Komisariatit të Policisë së Delvinës, pas bllokimit të një sasie prej 650 kilogramësh lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa”. Ndërkohë që dosja penale në ngarkim të tyre u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Gjykata, burg për të akuzuarin e vjedhjes me dhunë
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi dje të lërë në qeli shtetasin Arben Lleshi, 24 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale të "vjedhjes me dhunë në bashkëpunim". Gjatë seancës së sotme për vlerësimin e masës së sigurisë, i pandehuri Lleshi ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria. Por kjo nuk e ka bindur gjykatën, e cila nga ana tjetër ka vlerësuar të drejtë kërkesën e prokurorisë për të mbajtur të izoluar në paraburgim, deri në përfundim të hetimeve 24- vjeçarin Lleshi. Prokuroria pretendoi se ka dyshime të forta që implikojnë 24-vjeçarin Lleshi në veprën penale të "vjedhjes me dhunë në bashkëpunim". Nisur nga kjo, gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për Arben Lleshin. 24-vjeçari Lleshi, i dënuar më parë për vjedhje, u arrestua para dy ditësh nga policia e Tiranës pas grabitjes me dhunë të shumës 40000 lekë në një nga baret pranë Bankës Kombëtare. Ndërkohë që në këtë vjedhje pretendohet se është përfshirë edhe një tjetër person, i cili është shpallur në kërkim.
8 Shkurt 2008