E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: “Dënime më të rënda për krimin financiar”

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, mori pjesë dje në analizën vjetore të punës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kërkoi aplikimin e një politike dënimi më të ashpër për krimin financiar. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë përmbledh dhe problematikën më të madhe të të gjitha prokurorive. Krimi këtu paraqitet më i rrezikshëm e duhet të jetë prioritet i punës se prokurorëve pranë kësaj prokurorie. Në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se “kryeprokurorja Ina Rama edhe në analizën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka prezantuar të njëjtat prioritete duke u tërhequr vëmendjen prokurorëve në lidhje me çështjet e pushuara, veçanërisht ato që u përkasin personave të arrestuar. Prokurorët duhet të tregojnë me shume vëmendje ndaj ankimeve të vendimeve të gjykatës". Krimi financiar ishte gjithashtu një tjetër pikë tek e cila kryeprokurorja Rama është fokusuar gjatë kësaj analize, duke kërkuar aplikimin e një politike dënimi më të ashpër për krimin financiar, gjithashtu dhe rritjen e rasteve ku përdoret gjykimi i drejtpërdrejtë. "Forcimi i marrëdhënieve me Policinë Gjyqësore dhe ekzekutimi i të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që Kodi i Procedurës Penale i njeh prokurorit, është një tjetër kërkesë që kryeprokurorja Ina Rama ka parashtruar në analizën vjetore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ruajtja e sekretit hetimor e mosrrjedhja e informacionit u është kujtuar edhe prokurorëve të Tiranës, si një fenomen që duhet goditur”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Pretendimet e ngritura nga prokurorët e Rrethit Gjyqësor Tiranë lidheshin me rritjen e përfaqësisë se prokurorëve, me numrin e madh të çështjeve dhe ngarkesës në hetim, çka ul cilësinë e proceseve gjyqësore. Një tjetër kërkesë e tyre është edhe nxjerrja e urdhrave të drejtpërdrejta nga Prokuroria e Përgjithshme duke anuluar ato urdhra që kanë ndikuar negativisht mbi situatën. Shqetësim për prokurorët e Rrethit Gjyqësor Tiranë mbetet mospajisja me fletore zyrtare që ligji ua njeh si detyrim. Kryeprokurorja Ina Rama u ka përmendur edhe njëherë drejtuesve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë se ajo ka lidhur një kontratë me shtetin dhe në zbatim të saj po lidh kontratat me prokurorët në rrethe. Kjo është marrëdhënia që kryeprokurorja Rama kërkon të funksionojë e zbatohet mes organit të akuzës dhe prokuroreve derisa këta të fundit nuk e shkelin atë.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›