E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet banesa-monument 250-vjeçare e Koloit

Gjirokastër

GJIROKASTËR- Shembet totalisht banesa e Koloit në lagjen "Varosh" të qytetit të Gjirokastrës. Degradimi i vazhdueshëm dhe rritja e nivelit të rrezikshmërisë ka sjellë shembjen e kontrolluar të sajj dhe bashkë me godinën është rrënuar edhe historia 250-vjeçare e saj.


Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, të mbështetur edhe nga policia bashkiake kanë bërë paraditen e së martës ndërhyrjen e tretë dhe të fundit në banesën karakteristike, monument i kategorisë së parë, me një mjet të rëndë.


Pavarësisht vlerave arkitekturore dhe historike të kësaj banese, pjesë e ansamblit muzeal të qytetit të Gjirokastrës, shembja e saj ka bërë të mundur evitimin e rreziqeve, pasi muret rrezikonin të merrnin edhe jetë njerëzish.


Kjo pasi shtëpia e Koloit ndodhet në anë të rrugës kryesore që lidh pjesën e poshtme të qytetit, me atë muzeale dhe rrjedhimisht është një aks mjaft i frekuentuar si nga banorët, po ashtu edhe nga turistët e huaj.


Vitin e kaluar prishjeve të pjesshme e të kontrolluara iu nënshtruan pesë banesa: Koloi, Gurgai, Kokobobo, Pumo dhe Çabej. Por, duket se ndërhyrja e djeshme do të jetë e fundit momentalisht në banesat e parashikuara për evitimin e rrezikshmërisë.


Mundësia e çeljes së fondeve për restaurim ka bërë që specialistët e monumenteve të kulturës dhe pushteti vendor në Gjirokastër të bllokojnë përkohësisht shembjen e kontrolluar të 12 banesave karateristike, edhe pas miratimit të këtij procesi nga ana e Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë së qytetit, për shkak të amortizimit të tejskajshëm.


Ndërkaq, duke synuar ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore banesat do të qëndrojnë në pritje të fondeve të mundshme për ndërhyrje, çka pritet të sjellë ringritjen e tyre. Në zonën muzeale të Gjirokastrës janë 45 monumente të kategorisë së parë, të cilat janë të rrezikuara, si dhe 545 monumente të kategorisë së dytë. 172 prej këtyre objekteve paraqesin rrezik, ndërsa në gjendjen më të rëndë janë 48 banesa. Ndërkaq, gjatë viteve të fundit u janë nënshtruar restaurimeve një pjesë e këtyre banesave të kategorisë së dytë, gjithsej 245.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›