Durrës, ndotja e plazheve shtyn hapjen e sezonit
DURRES - Bashkia e Durrësit kërkon bashkëpunimin me biznesin privat, për të pastruar plazhet që ndodhen nën administrimin e saj. Kjo ndodh pasi Pushteti Vendor nuk zotëron mjetet motorike dhe fuqinë punëtore për të pastruar plazhet e gjendura brenda vijës së verdhë, të cilat shtrihen në 18 kilometra gjatësi. Plazhi i Durrësit nuk është akoma gati për të inauguruar sezonin turistik, ndaj kjo është edhe arsyeja që ceremonia zyrtare është shtyrë në kohë. Leshteriku, mbetjet e ndryshme urbane, si bidonë plastikë, kanaçe alumini, shishe qelqi, plehra të çdo lloji, dhera dhe madje inerte, kanë pushtuar jo vetëm 62 kilometrat e vijës bregdetare të Qarkut, nga Rodoni te "Përroi i Agait", por edhe plazhin që ndodhet brenda vijës së verdhë të Bashkisë së Durrësit, nga Bisht-Palla në Porto-Romano, Currila e deri te "Plepat". Aksioni i Bashkisë së Durrësit për pastrimin e plazhit, ka filluar në fund të muajit prill dhe kjo datë e vonë, nuk ka garantuar plazhe të pastra për këtë periudhë të muajit maj, pavarësisht ritmit të lartë të punës me dy turne nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit. Kjo për faktin e thjeshtë se sipërfaqja e rërës, e cila do t'i nënshtrohet proceseve të pastrimit sipërfaqësor, transportit të mbeturinave, plugimit dhe më pas dezinfektimit nga bakteret dhe insektet është shumë e madhe, për një numër të kufizuar punëtorësh dhe mjetesh të Ndërmarrjes Komunale. Gjendje më e përmirësuar paraqitet nga "Plepat" e deri në sektorin "Teuta", për t'u rënduar më pas nga shëtitorja "Taulantia" e deri në Currila, ku leshteriku ka arritur gjysmë metri lartësi, ku papastërtitë urbane kanë mbuluar plazhet, ku ujërat e zeza derdhen direkt e në det e si të mos mjaftonte kjo, aty janë depozituar edhe qindra metra kub baltë, si pasojë e rrëshqitjeve nga erozioni i Kodër-Vilës. Një situatë e rëndë kjo e plazheve të ndodhura nën administrimin e Bashkisë së Durrësit, po të kesh parasysh faktin se po kalon 1/3 e muajit maj dhe koha për të rikuperuar është e pamjaftueshme. Bashkia është në dijeni të faktit se plazhi i Currilave është në gjendje skandaloze ndaj parashikon që ky plazh me shtrirje jo më të madhe se 1 500 metra të pastrohet për herë të parë pas 20 vjetësh. Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka deklaruar se do të kalojë një projektvendim të veçantë në Këshillin Bashkiak, për të lëvruar një fond prej 10 milionë lekësh për pastrimin e kësaj zone. o.u