Durrës, nis rikonstruksioni i “Taulantias”
DURRES - Afro 15 mijë metra katrorë, të gjendura pranë shëtitores kryesore bregdetare të Durrësit, do t'u nënshtrohen një rikonstruksioni të thellë, me vlerë të përafërt 50 milionë lekë. Kryebashkiaku Vangjush Dako përuroi dje fillimin e punimeve për rehabilitimin e shëtitores "Taulantia". Pavarësisht se ka qenë një ndër lagjet rezidenciale të Durrësit, gjendja e infrastrukturës në këtë segment rrugor ka lënë deri dje përshtypje të hidhur tek turistët. E veçanta e kësaj zone të rikonstruktuar është se ajo do të jetë krejtësisht pedonale. Pas përfundimit të rikonstruksionit, kjo shëtitore do të jetë moderne e në përputhje të plotë me vizionin evropian, që i takon të ketë qyteti me 27 shekuj histori mbi supe. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se ky është një nga investimet më të rëndësishme, që ndikon pozitivisht në imazhin turistik të qytetit. "Kjo është një shëtitore shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët pas përfundimit të rikonstruksionit, do të gjejnë aty një ambient modern e çlodhës. Po kështu, ky rikonstruksion do të ndikojë pozitivisht edhe në imazhin turistik të qytetit, pasi do të kombinohen materiale shumë cilësore granit, ndriçime dekorativë të veçanta dhe punime druri, gjë që do t'i japin një pamje moderne kësaj shëtitoreje", u shpreh Dako. o.u