E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liqeni” prangos dy femra për prostitucion



POGRADEC - Operacioni policor i koduar "Liqeni" në qytetin e Pogradecit ka zbuluar një lokal ku ushtrohej prostitucion. Dy femra janë arrestuar, e para për shfrytëzim prostitucioni dhe tjetra për ushtrimin e tij. Lokali është zbuluar në zonën turistike të Drilonit, ku policia ka arrestuar në kushtet e flagrancës pronaren 46-vjeçare dhe kamerieren 19-vjeçare. Burime të policisë kanë bërë të ditur se është vënë në pranga në orën 18:00 të së premtes shtetasja Pranvera Balliu, e cila kishte marrë me qira lokalin bar-kafe në zonën turistike, tepër të frekuentuar. Ajo është ndaluar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit, pasi prej kohësh shfrytëzonte kamerieren 19- vjeçare. Në pranga ka rënë edhe e reja, V.Shkëmbi, me akuzën e ushtrimit të prostitucionit, pasi sipas policisë, ajo kishte rënë dakord me pronaren për të ndarë fitimet bashkërisht. Sipas burimeve policore, 19-vjeçarja shfrytëzohej duke frekuentuar klientë të lokalit kundrejt një pagese prej 5 mijë lekësh. Pas marrjes së informacioneve për këtë veprimtari, forcat e policisë së Pogradecit organizuan aksionin, duke vënë në pranga të dyja femrat. Sipas policisë, kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë zonën ku ka dyshime se kryhet e njëjta veprimtari e paligjshme, kryesisht në lokale e hotele. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›