Kryebashkiaku në polici, padi qytetarit
POLIçAN - Kryebashkiaku i Poliçanit shkon sërish në polici, këtë herë për t'iu kundërvënë denoncimit për dhunë të qytetarit Lake Shkëmbi me padi kundër tij. Adriatik Zotka mësohet se i është drejtuar komisariatit, për të denoncuar 54-vjeçarin, me akuzën e veprimeve provokative dhe fyerje në publik të tij. Sipas Zotkës, shkaktar i ngjarjes së ndodhur të enjten në mes të qytetit, është qytetari Shkëmbi. "Në momentin kur punonjësit e bashkisë kanë qenë duke punuar për mbjelljen e disa pemëve dhe për sistemimin e pemëve dekorative, të cilat bashkia sapo i kishte blerë, shtetasi Lake Shkëmbi ka shkuar pranë tyre, duke i ofenduar punëtorët e më pas ka dëmtuar pemët. Menjëherë kam shkuar dhe kam kërkuar sqarim, por Shkëmbi ka reaguar me veprime provokative dhe fyerje në publik", ka pohuar në polici kryebashkiaku. Zotka mësohet se ka kërkuar edhe dëmshpërblim moral, pasi e gjithë skena është zhvilluar në mes të qytetit. Ai ka mohuar akuzën për dhunë, e cila është regjistruar ndaj tij. Policia e qytetit ka tashmë dy çështje penale, ku protagonistët kanë akuzuar njëri-tjetrin. Lake Shkëmbi akuzoi për dhunim fizik kryetarin e bashkisë dhe vëllain e tij. d.xh