OMONIA ndryshon statutin
Shpresa Dine
Organizata politike e minoritetit grek zhvilloi dje një konferencë të Jashtëzakonshme në Sarandë, ku miratoi disa ndryshime në statutin e saj. Kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano tha në takim se ndryshimet në statut do të hapin më tej këtë organizatë, me qëllimin e afrimit të sa më shumë njerëzve në të. Sipas tij, ndryshimi i statusit ka si qëllim afrimin e gjithë minoritarëve pranë kësaj organizate, pavarësisht bindjeve politike. Bollano shtoi se ndryshimi kryesor në statut janë regjistrimet në OMONIA, pasi ato kanë qenë shumë konservatore. "Regjistrimi i anëtarëve në OMONIA, me ndryshimin e statusit do të jetë i liberalizuar. Statuti i ri parashikon që procedura e regjistrimit të jetë e thjeshtuar" - tha Bollano. Një tjetër pikë e ndryshimit të statutit të kësaj organizate, kishte të bënte edhe me organizimin e saj. "Problemi i dytë është zgjedhja e kryetarit, sipas parimit një anëtar një votë. Ka edhe probleme të tjera, në lidhje me pjesëmarrjen e anëtarëve të OMONIA-s në partitë e tjera ose jo. Ajo ngelet e zgjidhur, pasi OMONIA është përfaqësuese e minoritetit grek për arsye se u themelua si subjekt politik dhe nevojat e kohës e detyruan që lindte PBDNJ", - theksoi Bollano. Në fjalën e vet, kryetari i Omonia-s, Vasil Bollano pranoi se kanë pasur edhe dobësi e gabime në veprimtarinë e Omonia-s. "Ata që nuk bëjnë asgjë, nuk gabojnë", u shpreh Bollano. Duke u ndalur në votimet e 28 qershorit, Bollano tha se "ata që ngrenë më shumë zërin për të kërkuar përgjegjës dhe përgjegjësi, janë vetë përgjegjës për rezultatet e padëshiruara të PBDNJ".
Parlamentarët grekë
Të pranishëm në këtë konferencë të OMONIA-s ishin edhe deputetë në Parlamentin grek, si nga maxhoranca, ashtu edhe nga opozita greke. Në takim merrnin pjesë edhe përfaqësues nga të gjitha organizatat që funksionojnë në Athinë, përfaqësues të degëve të OMONIA-s nëpër rrethe, si dhe kryesia e PBDNJ. Maria Dhimitrakopulos, deputetja dhe përfaqësuesja PASOK-ut, në përshëndetjen e vet tha se, "ne jemi krenarë për ju dhe ka kërkuar që minoriteti grek në Shqipëri të shërbejë si urë afrimi mes dy popujve, ndërkohë që ka kërkuar që OMONIA të mbetet organizata ku secili të shprehë opinionet e veta". Stelios Konstandinidhis, deputeti i Demokracisë së Re (Nea Dhimokratia), tha se, mesazhi që duhet të marrë Qeveria shqiptare është të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj minoritetit, që të përparojë drejt Evropës. Ai ka përsëritur më tej mesazhin e bashkimit në OMONIA, pasi sipas tij, "kështu fitojmë më shumë". "OMONIA është nevojë kombëtare", tha deputeti i djathtë grek. Sipas tij, "është koha që helenizmi të pushojë së ngrëni "fëmijët" e vet".
PBDNJ
"Jetojmë me shqetësimet e shtetit grek", e ka nisur fjalën e vet kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, në këtë takim të OMONIA-s. Ai tha se janë përmirësuar të drejtat e minoritetit në Shqipëri. "Omonia nuk është asnjë kryetar apo sekretar i saj, por çdo anëtar i saj", tha Dule.
Deputeti grek: S’na erdhi mirë për marrëveshjen
Deputeti i djathtë grek, Stelios Konstandinidhis, i pranishëm dje në konferencën e OMONIA-s në Sarandë, komentoi edhe rrëzimin e marrëveshjes së ujërave nga Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Ai deklaroi se politikës greke nuk i erdhi mirë nga ky veprim i Gjykatës shqiptare. "Nuk na erdhi mirë që marrëveshja për kufijtë detarë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe rol negativ për këtë luajti opozita shqiptare", - tha Konstandinidhis. Deputeti i Demokracisë së Re, Konstandinidhis vlerësoi nga ana tjetër miratimin e marrëveshjes për varrezat e ushtarëve greke të rënë në Shqipëri. Duke folur për problemin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë luftën italo - greke më 1940-1941, ai i ka cilësuar si një mesazh shpresëdhënës, vendimet e Qeverisë shqiptare për këto varreza, megjithë kundërshtimin e bërë nga opozita shqiptare.
Fronti për Bashkim, memorandum për çështjen çame
HIMARE - Fronti Për Bashkim Kombëtar, me anëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, përgatit një memorandum për çështjen çame dhe respektimin e minoritetit shqiptar që ndodhet në kufijtë aktuale të Greqisë. Të mbledhur në Himarë, dhjetëra përfaqësues të Frontit kërkuan heqjen e Ligjit të Luftës me Greqinë, njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare për në zonat e populluar nga shtetas me kombësi shqiptare, në të gjithë Greqinë, veçanërisht në Kostur, Konicë, Follorinë, Janinë, Prevezë, etj. Në pikat e tjera të memorandumit kërkohet shifra e saktë e popullsisë shqiptare autoktonë që jetojnë në këto zona dhe i emigrantëve, respektimi me kushtetutë i të drejtave të tyre, eliminimi i akteve diskriminuese, zgjidhja e çështjes së varreve masive të çamëve në tokën greke dhe ngritjen e një memoriali në kujtim të tyre. Memorandumi do t'i përcillet parlamentit grek, atij shqiptar, Parlamentit Evropian, OKB-së dhe selisë së NATO-s. q.b