E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, nis rikthimi masiv i emigrantëve me tragete

DURRES- Mbrëmjen e kaluar ka nisur nga porti i Durrësit rikthimi masiv i emigrantëve shqiptarë, që kaluan festat e fundvitit pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur se vetëm gjatë natës së kaluar janë nisur me tragete nga Durrësit drejt Barit (Itali) mbi 2500 udhëtarë me rreth 600 autovetura.

Sipas të njejtave burime, përpunimi i udhëtarëve në pikat e kontrollit kufitar nuk ka patur probleme, ndërsa tragetet kanë lundruar normalisht nga Durrësi drejt brigjeve italiane.

Sot në mbrëmje rreth orës 19.00 një traget do të lundrojë drejt Ankonës, ndërsa tre të tjerë do të nisen rreth orës 23.00 në drejtim të portit të Barit. Nga të dhënat e përftuara në bashkëpunim me agjencitë e lundrimit, numri i udhëtarëve që do të nisen sot drejt Italisë arrin në 3 mijë me rreth 800 automjete gjithsej.

Pas mbërritjes në Itali, një pjesë e udhëtarëve shqiptarë vazhdojnë më tej udhëtimin në rrugë tokësore drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian ku ata jetojnë dhe punojnë prej vitesh.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›