Gjenden dy persona të vdekur, policia: Nuk janë vrasje
Dy persona janë gjetur të vdekur në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme dje në qytetin e Fierit. Rreth orës 07.00 të mëngjesit, në mjediset e brendshme të shkollës nëntëvjeçare "Mark Dashi" është gjetur i vdekur Halim Gashi, 63 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Fierit, i cili punonte si roje i shkollës. Trupi i rojës është gjetur nga pastrueset që kanë shkuar të parat në punë. Hetimet e policisë për këtë ngjarje kanë bërë që dje në shkollë të ndërpritej mësimi, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende shkaku i vdekjes së burrit 63 vjeç. Policia thotë se në trupin e të ndjerit nuk ka pasur shenja dhune, por do të kryhen ekzaminime të tjera përpara se të thuhet nëse ishte një vdekje natyrale. Ndërsa merrej me hetimin e këtij rasti, Policia e Fierit është njoftuar për një tjetër të vdekur, që ishte gjetur në një makinë "Mercedes Benz" në rrugën e stacionit të trenit. Kalimtarë të rastësishëm kanë njoftuar policinë rreth orës 14.15, pasi kanë parë se shoferi qëndronte i përkulur mbi timon pa shenja jete. Sipas ekspertëve, viktima i identifikuar si Sotiraq Dhamo, banues në qytetin e Fierit, ka bërë një përplasje të lehtë me një automjet tjetër të parkuar dhe mendohet të ketë pësuar një atak kardiak të çastit, për shkak të tronditjes.
M.Troka