E Diel, 1 Nëntor 2026

Florant Grëmi u shpëtua nga policia një vit më parë

Një 20-vjeçar nga rrethi i Fierit, i cili i mbijetoi bllokimit në dëborë në tentativë për të shkuar ilegalisht në Greqi, do të duhet t‘i kalojë në burg festat e fundvitit, pasi Gjykata e Korçës e ka dënuar me 10 ditë burg për kalim të paligjshëm të kufirit. Florant Grëmi, lindur e banues në fshatin Kallm të Komunës Mbrostar në rrethin e Fierit, ka qenë person i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti. Sipas burimeve policore, ai është vënë në pranga vetëm pak ditë pas kthimit nga Greqia, ku ka mundur të emigrojë, edhe pse ndaj tij në Korçë kishte përfunduar së gjykuari procesi gjyqësor për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit. Menjëherë pas marrjes së informacionit për kthimin e tij pranë familjes, inspektorët e krimit kanë shkuar në banesën e tij dhe i kanë vënë prangat. Mësohet se një vit më parë, Grëmi me disa bashkëfshatarë të tij mori rrugën për në Greqi, duke kaluar ilegalisht nga pika kufitare e Kapshticës. Ai dhe tre të rinj të tjerë mbetën në dëborë disa kilometra larg kufirit. Me telefon ata kërkuan ndihmën e Policisë së Korçës, e cila në bashkëpunim me policinë greke i gjeti dhe mundësoi riatdhesimin e tyre. Edhe pse u la i lirë të kthehej në shtëpi, ndaj tij nisi një proces gjyqësor, i cili përfundoi me dënimin me dhjetë ditë burg. Nga ana tjetër, edhe pse rrezikoi njëherë jetën, Grëmi mundi të shkonte në Greqi, nga ku është kthyer vetëm pak ditë më parë për t‘u ndaluar nga policia në orët e vona të mbrëmjes së hënë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›