E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni me tenderat, bie në Apel dënimi i ish-zv.ministrit

 

TIRANE – Gjykata e Apelit liron nga akuza ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka, të dënuar nga Shkalla e Parë me 1 vit e 20 ditë burg dhe 800 mijë lekë gjobë. Të njëjtin fat me Jakën pati edhe ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, Bashkim Kamberi, ndërsa për 5 të bashkëpandehurit e tjerë të tyre, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Vendimi për pushimin e çështjes për Jakën dhe Kamberin u shpall dje nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Lefter Jahaj në Apelin e kryeqytetit. Ndërsa një seancë më parë Prokuroria kishte kërkuar shtimin e masës së dënimit të tyre, sipas vendimit të djeshëm ata konsiderohen “de jure” dhe “de fakto” të pafajshëm. Në shkallën e të gjyqësorit Jaka ishte dënuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Kamberi për “shpërdorim të detyrës”. Kamberi ishte dënuar nga Shkalla e Parë me 1 vit e 20 ditë burg.
Ish-ministri dhe të pandehurit e tjerë kishin zgjedhur të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre në seancën e djeshme, ndërsa gjykata do të shpallte verdiktin përfundimtar.
“Gjykata vendosi lënien në fuqi të vendimit datë 19.05.2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në lidhje me të pandehurit Skënder Bokçiu, Isuf Ukperaj, Xhevahir Muçogllava, Ilirjan Berzani dhe Arjan Sheti. Ndryshimin e vendimit të lartpërmendur për të pandehurit Bashkim Kamberi dhe Nikolin Jaka dhe pushimin e çështjes penale për këta të pandehur”, thuhej në vendimin e djeshëm të Apelit. Një seancë më parë Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe shtimin e masës së dënimit të dhënë nga Shkalla e Parë për ish-ministrin Jaka, ish-shefin e Sektorit Juridik dhe Prokurimeve në D.P.Rr dhe Ilirjan Berzanin, ish-drejtor i Përgjithshëm në këtë institucion. Ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Transporteve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe dy biznesmenët akuzoheshin nga Prokuroria për abuzime dhe afera korruptive, mitmarrje dhe shpërdorim detyre në lidhje me disa tenderë në vitin 2007 në Ministrinë e Transporteve. Në gjykimin e tyre në Shkallën e Parë, gjykata pranoi gjykimin me kohë të shkurtuar, prej aplikimit të së cilit përfituan uljen e 1/3-ës së masës së dënimit. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›