Durrës, operacioni Korçari vë në pranga tre tutorët
Tre persona me banim në Durrës janë vënë në pranga nga policia e Durrësit pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se merreshin me trafikime të femrave në drejtim të Greqisë dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion.
Ka qenë një operacion me emrin e koduar "Korçari", ai që ka konkluduar me prangosjen e këtyre personave. Seksioni kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës në bashkëpunim me Sektorin e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka finalizuar me sukses ndalimin e tre personave që janë Mehdi Xhihani, 45 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Durrës, Xhemal Zenuni, 21 vjeç lindur në Elbasan dhe banues në Durrës si dhe Altin Brahimi, 25 vjeç lindur dhe banues në Shijak të Durrësit. Ndalimi i tyre u bë për arsye se prokuroria e krimeve të rënda ka nxjerrë Urdhër Ndalimi më 1 mars të këtij viti pasi këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë rekrutuar shtetasen M.Ll 21 vjeçe me qëllim trafikimi drejt shtetit grek për ta shfrytëzuar për prostitucion. Ata kanë arritur ta mashtrojnë 21- vjeçaren por kanë dështuar në nxjerrjen e saj jashtë kufijve të Shqipërisë. Ka qenë pikërisht kjo ngjarje që ka nxjerrë në pah edhe aktivitetin e tyre me femrat pasi 21- vjeçarja nuk ishte e vetmja që e priste fati i prostitutës në trotuaret e Greqisë. Nga hetimi i mëtejshëm i aktivitetit të tyre kriminal rezultoi se këta persona kanë tentuar të rekrutojnë edhe tre shtetase të tjera me qëllim trafikimi dhe shfrytëzim prostitucioni. Materialet për ndalimin e tyre ju kaluan Prokurorisë se Krimeve të Rënda Tiranë.