E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbroni shpellarin një monodramë nga Spiro Duni

Në sallën e re të Teatrit Kombëtar më datë 7, 8 dhe 9 mars do të shfaqet premiera e monodramës së autorit amerikan Rob Becker Mbroni shpellarin nën interpretimin e Spiro Dunit dhe Genc Rushit. Regjisor i pjesës është vetë Spiro Duni. Monodrama Mbroni shpellarin është një pjesë humoristike, e cila mundohet të eksplorojë dhe shpjegojë diferencën midis burrit dhe gruas dhe se si kjo qenie ndryshe na bën të keqkuptojmë njeri-tjetrin. Mbroni shpellarin është shfaqur për herë të parë në Amerikë në 1991 dhe atë tashmë e kanë parë mbi pesë milion njerëz, në më tepër se 20 vende të botës në 15 gjuhë të ndryshme. Ndërkohë që regjisori dhe aktori Spiro Duni ka një aktivitet të ngjeshur artistik. Vetëm disa kohë më parë regjisori ai ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar premierën Fishkëllimë në errësirë. Kjo dramë irlandeze e autorit Tom Merfi është ngjitur në skenë për herë të parë në vitin 1961 dhe vazhdon deri sot të ketë sukses të padiskutueshëm në shumë skena të botës, gjë e cila u vërtetua dhe në skenën shqiptare. Motivi i kësaj vepre ishte problemi i madh i dhunës brenda familjes dhe plagët e emigracionit. Dhuna është tematika kryesore e veprës, një pjesë realiste që shkon deri në natyralitet. Dy probleme që në ditët tonë janë më aktualet edhe për Shqipërinë post komuniste, madje më aktuale sa edhe për vetë Irlandën, atdheun e autorit. Në skenë vepra u interpretua nga emra të njohur si Reshat Arbana, Bujar Asqeriu, Naum Shundi, Anila Bisha, etj. Pjesa teatrore përcolli ritëm të lartë, dramacitet dhe elegancë skenike në gjithë idetë e këtij autori të madh. U nënvizua gjithashtu, mënyra sesi një familje funksionon në opinionin shoqëror dhe si funksionon brenda mureve të shtëpisë. Zhvillimi i konfliktit është një simetri e përkryer dhe siguron natyrshëm katarsisin e parashikuar dhe tragjedi. Ndërkohë që Spiro Duni ka interpretuar në filmat: Treni niset më shtatë pa pesë - (1988) .... Adi, Gurët e shtëpisë sime - (1985), Apasionata - (1983) dhe Në çdo stinë - (1980). Por gjithashtu ai ka vënë në skenë dhe shumë vepra teatrore, ku më e fundit ishte Fishkëllimë në Errësirë në skenën e TK.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›