Kristiano Ronaldo te Interi?
Lajmi është i bujshëm. Në Itali flitet se një tjetër Ronaldo do të veshë bluzën e Interit. Pas brazilianit Roni, tashmë në fokusin zikaltër është Kristiano Ronaldo, i cili porsa ka fituar “Topin e artë”. Lajmin e jep e përditshmja sportive italiane “Corriero dello Sport”. Në pallatin e rrugës “Durini”, ku ka selinë presidenti i Interit, Masimo Morati, plani ekziston dhe është hartuar në mënyrë sekrete për të bërë për vete xhevahirin e Mançester Junaitid. Gjithçka duket se ka lindur nga Horge Mendes, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i kampionit portugez, por dhe i trajnerit të Interit, Hoze Murinjo, por dhe një sërë lojtarësh të mëdhenj si Rikardo Kuarezma e Tiago Silva. Vetë Mendes e shikon si më të mundshme pistën italiane se atë spanjolle, në drejtim të Realit të Madridit. Një trajner i madh si Murinjo është gjithmonë një garanci trofesh për Kristiano Ronaldon. Anësori 23-vjeçar i Mançester Junaitid fitoi 446 pikë, duke lënë pas vetes argjentinasin e Barcelonës, Lionel Mesin (267 pikë) dhe spanjollin e Liverpulit, Fermando Torres (165 pikë). Ronaldo është portugezi i tretë në historinë e “Topit të artë”. Përpara tij trofeun më të rëndësishëm për një futbollist e kishin fituar Eusebio (1965) dhe Luis Figo (2000). Ronaldo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e Ligës së Kampioneve dhe Premier Ligës nga ana e Mançesterit.
Skela grindet me Stanislav Angelovin
“Ai e filloi i pari”. “Jo, ai e filloi i pari”. Kështu reaguan dy lojtarët profesionistë të Energi Kotbusit. Grindje në stërvitje midis Ervin Skelës e Stanislav Angelov. Lajmin e jep faqja gjermane 20-cent.de. Trajneri Bojan Prasnikar foli me të dy lojtarët grindavecë, duke ndërprerë për pak çaste edhe stërvitjen e ditës së martë. Po çfarë ndodhi? Skela kishte tërhequr nga bluza Angelovin gjatë një loje stërvitore, duke i kërkuar me pas edhe falje pasi e quajti të panevojshme ndërhyrjen. Disa minuta më pas Angelov i ngriti takat Skelës. Fantazisti shqiptar e la stërvitjen duke çaluar paksa. Skela është duke kaluar një formë të shkëlqyer në ndeshjet e fundit, ku spikat goli madhështor kundër Bajernit.
Tare: “I kemi mjetet për të dalë nga kriza”
Igli Tare gjithmonë e më shumë me rolin lidhës të klubit me mediat italiane. Pas tre ndeshjeve pa fitore, bardhekaltrit e Lacios kërkojnë suksesin kundër Milanit në Kupën e Italisë. Igli Tare flet për “Radio Radio”: “Në këto ndeshje disa episode nuk ishin të favorshme, kundër Xhenoas patëm shumë raste, por nuk mundëm të fitonim. Kundër Atalantës bëmë dy gabime dhe u ndëshkuam. Kemi parë filmimet dhe i dimë se ku qëndrojnë problemet. Duhet të punojmë me qetësi. Ndoshta pas humbjes me Romën, kemi humbur pak besimin te vetja jonë, por me punën në fushë mund të rikthehemi në rrugën e drejtë. I kemi mjetet për të dalë nga kriza”.
Bogdani mungon kundër Romës
Erjon Bogdani vazhdon stërvitjen e diferencuar. Sipas datasport.it, qendërsulmuesi shqiptar i Kievos do të mungojë edhe në ndeshjen kundër Romës, e vlefshme për javën së 15-të kundër të Serisë A.
4 Dhjetor 2008