E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu, “pingpong” me Kupën e Shqipërisë

Vetëm pesë nga tetë takimet e programuara u zhvilluan të mërkurën. Kryeqytetaset Tirana e Partizani bëjnë autokritikë në transfertë

Dash Frashëri

Vetëm pesë nga tetë takimet e programuara për ndeshjet e para të 1/16-ve të Kupës së Shqipërisë u zhvilluan të mërkurën, tre të tjerët u anuluan për shkak të shirave të dendur e përmbytjeve.
Kështu, nuk u zhvillua në Grupin A, Teuta-Vllaznia, pasi rrugët ishin të pakalueshme në sheshin para stadiumit “Niko Dovana”. Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe ekipi i Flamurtarit nuk mundi të udhëtojë në drejtim të qytetit të Ballshit për të luajtur në stadiumin “Adush Muça” kundër vendasve të Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B. Takimi tjetër i pazhvilluar i këtij grupi ishte ai midis Besëlidhjes e Elbasanit.
Tirana bën autokritikë
Pas paralajmërimit të ashpër të presidentit Refik Halili pas rezultateve të dobëta në kampionat, Tirana e nisi autokritikën në Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë fituan 4-1 në Lushnjë, me katër gola të realizuar në pjesën e dytë, duke përmbysur avantazhin e vendasve të krijuar në fundin e pjesës së parë. Kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela, goditi nga pika e bardhë, portieri i Tiranës arriti të grushtojë topin, por sfera u rikthye sërish në këmbët e Çelës, që kësaj radhe shënoi në minutën e parë shtesë. Në fraksionin e dytë 13-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë shkarkuan gjithë dufin e mbledhur, falë dopjetës së Migen Memellit (dy asistë të Ansi Agollit) në minutat 47 e 58. Sulmuesi pogradecar, i cili me 6 gola është edhe shënuesi më i mirë i Tiranës në kampionat, është edhe më produktivi në kupë, teksa ka shënuar 3 gola në dy ndeshjet ku ai është aktivizuar, përfshirë edhe takimin kundër Tërbunit, të fituar 1-0 nga bardheblutë. Gjergji Muzaka në minutën e 68-të dhe talenti 19-vjeçar Ergys Sorra në të 91’ vulosën edhe rezultatin 4-1, duke e bërë më të lehtë ndeshjen e kthimit në Tiranë. Ndeshja u zhvillua nën reshjet e shiut e në prani të shumë pak shikuesve në “Roza Haxhiu”.
Capo vendos për “demat”
Partizani duket një tjetër formacion në Kupën e Shqipërisë, në ndryshim nga ai në kampionat, ku renditet i fundit pas 13 javëve të zhvilluara. 15-herë fituesit e kupës fituan në Burrel me rezultatin e ngushtë 1-0, në një ndeshje të shoqëruar gjatë gjithë takimin nga shiu i dendur dhe mjegulla. Golin e vetëm për rekordmenët e shënoi sulmuesi i talentuar 21-vjeçar, Arbër Capo, në minutën e 54-t. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet, më 17 dhjetor 2008, por të kuqtë duken se kanë hedhur një hap të madh drejt çerekfinaleve. Në turin e parë, Partizani eliminoi Tepelenën, teksa në transfertë fitoi 5-1, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit tepelenasit nuk u paraqitën në kryeqytet.

Paqe te “Loni”, Zhunjor me të kuqe

Apolonia e Shkumbini u ndanë në paqe në “Loni Papuçiu”. Edhe pse skuadrat u impenjuan maksimalisht për të shënuar, me gjithë rastet e paraqitura. Qendërmbrojtësi i Apolonisë, Maringlen Shoshi, i dëmtuar gjatë takimit kundër Lushnjës, e ndoqi si spektator ndeshjen. Për t’u veçuar është fakti se sulmuesi i Apolonisë, braziliani Zhunior doli me karton të kuq në minutën e 92-të, i dyti rresht pas atij të marrë në ndeshjen e kampionatit Lushnja-Apolonia.

Besa, fitore në transfertë

Besa fitoi me rezultatin e ngushtë 2-1 në Krujë kundër Kastriotit vendas. Bledar Mancaku shënoi i pari për kavajasit në minutën e 31-të, ndërsa për krutanët barazoi Klevis Roshi në të 77’. Pa kaluar as dy minuta, Bekim Kuli u pengua brenda zonës, penallti në minutën e 79-të, duke e shndërruar në gol po ai vetë. Me këtë fitore në transfertë rruga drejt çerekfinaleve për Besën duket më e lehtë.

Skënderbeu nuk e fal Dinamon

Kryesuesi i Kategorisë së Parë, Skënderbeu, dëshmoi formën e mirë që po kalon edhe me Dinamon. Korçarët fituan 1-0 ndaj bluve në ndeshjen e zhvilluar në Bilisht. Golin e vetëm të takimit e shënoi ish-mesfushori i Partizanit, Bledi Shkëmbi, i cili realizoi në minutën e 13-të. Ndeshja e kthimit nuk parashikohet të jetë e lehtë për blutë e Zllatko Daliçit, të cilët duhet të fitojnë me dy gola diferencë e sipër.

KUPA E SHQIPËRISË
TURI I DYTË

GRUPI A
Skënderbeu-Dinamo 1-0
Shënues: Shkëmbi 13’
Kastrioti-Besa 1-2
Shënues: Roshi 77’ /Mancaku 31’, Kuli 79’ (11-m)
Apolonia-Shkumbini 0-0
Teuta-Vllaznia (e shtyrë)

GRUPI B
Burreli-Partizani 0-1
Shënues: Capo 54’
Besëlidhja-Elbasani (e shtyrë)
Lushnja-Tirana 1-4
Shënues: Çela 45’ / Memelli 47’, Memelli 58’, Muzaka 68’, Sorra 91’
Bylis-Flamurtari (e shtyrë)

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›