Durrës, përplasen dy automjete, plagosen rëndë dy shoferët
/>Dy automjete janë përplasur keq mesnatën e së mërkurës, duke kaluar në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Shkozet, pikërisht në afërsi të rotondës. Për pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur shumë rëndë. Automjeti tip Benz me targa të Durrësit 1144 E është përplasur me automjetin tip fiat me targa të Durrësit 3001 B.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë dy drejtuesit e automjeteve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga policia, por që janë transportuar menjëherë për në urgjencën e Durrësit. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e dy drejtuesve ishte kritike për jetën dhe se vetëm pas ndërhyrjeve kirurgjikale kanë mundur të shpëtojnë. Grupi hetimor, i cili mbërriti në vendngjarje arriti në përfundim se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia e madhe e automjeteve si dhe nga pakujdesia e drejtuesve. Në 24 orët e fundit në qytetin e Durrësit janë regjistruar katër aksidente, dy prej të cilëve me pasoja të rënda në njerëz.