Kapshticë, zhduket radha në kufi, emigrantët kalojnë pa probleme
/>Zhduket radha pas më shumë se një jave në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pika kufitare e Kapshticës gjatë të enjtes ndonëse ka pasur fluks, për fat të mirë nuk ka pasur radhë të gjata disa kilometra për faktin se pala greke ka punuar me ritme shumë të larta ndryshe nga ditët e tjera. Madje gjatë kësaj dite ajo e ka çuar në katër numrin e sporteleve për hyrjet në territorin e saj nga gjashtë që ka pala shqiptare për dalje.
Gjatë 12 orëve të fundit nga Kapshtica kanë dalë 5 mijë shtetas shqiptarë me 1220 mjete, ndërsa përsa i përket shifrave zyrtare të 24 orëve të fundit sipas komandantit të vendkalimit kufitar të Kapshticës kanë dalë 5025 persona me 1229 automjete. Sipas autoriteteve shqiptare pala greke ka punuar shpejt duke mos zgjatur kohën e përpunimit të të dhënave për një shtetas, ndërsa dhe shtimi i një sporteli më shumë pas kërkesës së vazhdueshme të palës shqiptare ka dhënë rezultatet e saj pozitive.