Skrapar, nuk i jepet ndihmë ekonomike, vjedh arkën e komunës
/>Nuk i pranohet kërkesa nga ana e komunës për tu përfshirë në listën e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti dhe në shenjë proteste vjedh arkën e komunës me anë të thyerjes. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në fshatin Gjerbës të rrethit të Skraparit, ku Ardi Zyko, banor i këtij fshati ka vjedhur arkën e komunës pasi ka hapur me anë të thyerjes derës e godinës.
34- vjeçari mësohet se i pajisur me mjete të forta ka hyrë qetësisht në ambientet e komunës dhe pasi ka hapur me forcë derën kryesore të saj, ka thyer kasafortën dhe ka grabitur sasinë e lekëve të ndodheshin në të. Hapja e derës së komunës në një orar ta pasdites ka bërë që të reagojnë të parët banorët e fshatit dhe më pas punonjësit e komunës. Ata kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe ekspertët e saj kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga deklarimet e punonjësve është mësuar se dera kryesore e godinës së komunës ishte mbyllur nga punonjësit pas mbarimit të punës ashtu si çdo ditë tjetër. Ndërkohë që nga hetimet e para në vendin e ngjarjes ekspertët e policisë kanë mësuar se dera e godinës është hapur me anë të thyerjes, nga ku më pas autori kishte mundur të futej në zyrën ku ndodhej kasaforta dhe e ka hapur atë me mjete të forta. Nga verifikimet e bëra është mësuar se autori kishte grabitur 127.500 lekë të reja nga kasaforta e komunës, shumë lekësh që do tu ndahej familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike. Nga hetimet e policisë dhe marrja në pyetje e personave të rastit, është arritur të identifikohet autori i vjedhjes. Ai është arrestuar rreth orës 15:00 në banesën e tij, ku u bllokuan në cilësinë e provës materiale shuma e lekëve të vjedhur dhe pajisjet me të cilat kishte kryer vjedhjen. Gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit, 34- vjeçari, babai i tre fëmijëve mësohet të ketë deklaruar se e kishte kryer vjedhjen pasi komuna nuk kishte marrë parasysh kërkesën e tij për tu përfshirë në listën e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti, pasi sipas drejtuesve të komunës ai nuk plotësonte kriteret. 34- vjeçari u shoqërua pas arrestimit në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Berat, ku do të përballet me akuzën e vjedhjes.