E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i të përndjekurve politikë në Shkodër: Janë bërë spekulime me listat

/>Ndrekë Bazhdari pohon se të persekutuarit janë në pritje të listave të sakta me emrat e tyre  

Listat e të persekutuarve politikë të regjimit komunist kanë në përmbajtje të tyre shumë spekulime. Kështu ka deklaruar kreu i ish- të përndjekurve politikë të Shkodrës, Ndrekë Bazhdari, sipas të cilit ka kunfuzion për listat e ish- të përndjekurve edhe në Shkodër. Nuk janë të vërteta ato që publikohen dhe patjetër që duhet të vijë momenti i vërtetë kur të publikohen. Megjithatë ne jemi në pritje, ka bërë të ditur Bazhdari, duke shtuar se nuk dihet akoma se sa janë, megjithatë është lënë një paragraf i hapur, ku më vonë komisioni trepalësh do të ricaktojë se çfarë kriteri do të ketë. Sipas Bazhdarit, vetëm në rrethet Shkodër dhe Malësi e Madhe janë 2846 ish- të përndjekur politikë, 601 të pushkatuar dhe 1924 të familje të internuara. Në këtë kaos që akoma ekziston, as nga të përndjekurit nuk ka ndonjë ide të qartë se si do të rrjedhin ngjarjet me dëmshpërblimin, por ajo që dihet është se këto shifra të larta vetëm për dy rrethet e shumëpersekutuara, përbëjnë edhe një nga modelet se si duhet të funksionojë edhe vetë ligji dhe që raportet që ai duhet të përmbajë, janë tepër të rëndësishme për një dëmshpërblim adeguat në këtë rast. Në radhët e të përndjekurve ka shumë pakënaqësi edhe për trasparencën e problemit të tyre, megjithë kujdesin e madh që ato tregojnë për të mos u prononcuar për zbatimin dhe thellësinë apo edhe gjerësinë e zbatimit e ligjit në përgjithësi. Ish- të përndjekurit politikë kanë hasur vështirësi gjatë gjithë këtyre viteve për kompensimin e vuajtjeve të tyre nga regjimi i mëparshëm komunist. Shkak për këtë është bërë dhe ndarja e tyre në kategori të ndryshme sipas vuajtjeve, por edhe procedurat burokratike që ata duhet të ndiqnin për të përfituar atë që në fakt u është dhënë me ligj. Kështu, megjithëse për dëmshpërblimin e tyre janë miratuar disa ligje, vetëm një pjesë e tyre ka mundur të përfitojë diçka, ndërsa të tjerët janë përdorur vetëm si gurë shahu gjatë fushatave elektorale.     
Vendimi i qeverisë për talljen e të përndjekurve
Një gjë të tillë po e bën sërish dhe qeveria aktuale, e cila duket hapur se po tallet  me këtë shtresë të vuajtur të shoqërisë shqiptare. duke dashur tu fitojë zemrën të dënuarve të ndërgjegjes gjatë regjimit komunist dhe ish- pronarëve, këtë fillim viti, që është pragfushate elektorale, Këshilli i Ministrave me në krye Sali Berishën ka  vendosur ngritjen e një Obelisku për viktimat e diktaturës, ngritjen e një instituti, vendosjen e një date të përmbysjes së diktatorit dhe sigurisht ka evokuar ngjarjet e asaj kohe, pas krijimit të PD-së. Është e qartë se bëhet fjalë për të ruajtur votat e kësaj shtrese, që në fakt përbën thelbin e së djathtës, megjithëse është mënjanuar dhe është përdorur vetëm për garniturë nga ish- komunistët që morën në dorë drejtimin e lëvizjes antikomuniste të viteve '90. Të persekutuarit tashmë janë mësuar me të gjitha qeveritë, janë mashtruar, keqtrajtuar thuajse njësoj nga të gjithë kryeministrat. E pse të mos ndodhte edhe kësaj radhe?! Berisha pasi i ka rrahur dhe i ka nxjerrë me dhunë nga grevat e urisë, pasi nuk u ka dhënë asnjë lekë të persekutuarve nga buxheti i viteve të mandatit të tij qeverisës, pasi i ka mashtruar ish- pronarët dhe nuk u ka dhënë akoma paratë e kompensimeve, kërkon të afrojë këta njerëz në fund të mandatit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›