E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisin reshjet e dëborës, përkeqësohet gjendja në verilindja

/>Reshjet e dëborës kanë rinisur me intensitet në zonat malore të vendit. Megjithatë, sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak temperaturat kanë pësuar një rritje me 2 deri në 5 gradë celsius gjatë ditës së djeshme. Ndërkaq, sipas këtij shërbimi mësohet se moti do të jetë i paqëndrueshëm deri në fillim të javës së ardhshme me reshje shiu dhe dëbore, por nuk ka për të pasur ulje të mëtejshme të temperaturave. Reshjet e dëborës që kanë nisur në verilindje të vendit kanë vështirësuar qarkullimin në shumë komuna, të cilat vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga dëbora. Sipas shefit të Emergjencave Civile, Alfred Olli, gjendja mbetet e rëndë në dy komuna të qarkut të Kukësit, në Arrenit dhe Zapot, por edhe në komunat Selisht dhe Lurë në Dibër. Shtabi i Emergjencave ka çuar ndihma në komunën Selisht të Krujës, ku edhe këtu banorët janë bllokuar nga dëbora. Rrugët nacionale sipas zotit Olli janë të kalueshme por me zinxhirë, ndërkohë që është punuar për hapjen e rrugëve që lidhin komunat me fshatrat. Ndërkaq, dhjetëra fshatra në Tropojë, Kukës, Dibër dhe Pukë vazhdojnë të mbeten të izoluara nga dëbora, e cila pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Mësimi në këto komuna vazhdon të jetë i pezulluar që prej 3 ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›