E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH nis ndërprerjen e energjisë për 250 debitorë në Fier

/>Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në qytetin e Fierit ka nisur tashmë fushatën e ndërprerjes së dritave për të gjithë ata që rezultojnë debitorë ndaj kësaj drejtorie. Sipas burimeve brenda këtij institucioni, pritet që të ndëshkohen 250 klientë që nuk paguajnë prej muajsh faturën e energjisë elektrike. Drejtori i OSSH-së për Fierin, Andi Prifti ka deklaruar se në krahasim me disa muaj më parë janari i këtij vitit ka qenë me ndërgjegjësim më të lartë përsa i përket pjesës së debitorëve. "Arkëtimi për këtë periudhë është më i kënaqshëm se sa muaj më parë, por kjo nuk do të thotë që jemi në nivele të larta dhe të kënaqshme arkëtimesh. Si pasojë e debiteve të deritanishme, pra duke marrë parasysh mospagesat e muajve tetor, nëntor dhe dhjetor, ne kemi vendosur që të ndërpresim energjinë për të gjithë debitorët", ka thënë ndër të tjera Prifti. Mësohet se vetëm brenda një dite aksioni i prerjes së energjisë ka prekur 180 debitorë. Tetë grupe, në të cilët ka elektricistë, faturistë dhe specialistë të degës së shitjes, janë duke prerë energjinë në zona të ndryshme të qytetit. Kuptohet që tani aksioni ka nisur vetëm në qytet ndërsa do të ketë një tjetër plan për zonat urbane në të cilat edhe numri i debitorëve është shumë herë më i lartë. "Ndër debitorët familjarë më problematikë me pagesat e energjisë elektrike janë ata të zonave rurale, ndërsa në qytete debitorë të mëdhenj mbeten bizneset private dhe institucionet shtetërore", ka vijuar shefi i OSSH-së. Sipas kreut të filialit të OSSH-së së Fierit, Andi Prifti, bëhet e ditur se numri real i debitorëve është shumë herë më i lartë se ai që është shfaqur, pasi shumë debitorë në momentin e përballjes me grupet e prerjes së energjisë janë treguar të gatshëm të paguajnë faturat e prapambetura. Sasia e borxhit që po rëndon në arkën e OSSH-së së Fierit shkon në disa milionë lekë, por mendohet që kjo shumë do të shlyet, pasi mbi debitorët do të ushtrohet presion i vazhdueshëm. Por abonentët familjarë nuk janë debitorët e vetëm. Ndër më problematikët vazhdojnë të jenë ujësjellësit e disa komunave, të cilëve edhe pse u është ndërprerë disa herë energjia, nuk kanë likuiduar shumat e parave të vendosura në faturat e OSSH. Mësohet se aksioni në fjalë do të vijojë derisa të likuidohet e gjithë shuma që abonentët i detyrohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, i cili në këtë periudhë të vitit duhet thënë se po përballet me vështirësi të shumta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›