E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, përplasen dy furgona, 10 vetë të plagosur

Një aksidenti i rëndë ka ndodhur në Durrës, në aksin rrugor Rrashbull-Xhafzotaj, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur 10 persona. Pikërisht në orët e pasdites së djeshme, një furgon pasagjerësh i mbushur me kapacitet të plotë është përplasur fort me një furgon mallrash. Furgoni i pasagjerëve kishte targën DR 66 87 C, ndërsa furgoni i mallrave mbante targën DR 08 39 D. Të aksidentuarit janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Durrësit, ku pese prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, që po hetojnë për shkaqet e aksidentit. Dyshimet e para te konfirmuara nga policia flasin se shkak i aksidentit ka qenë gjendja e dehur e shoferit të furgonit të pasagjerëve.
Ngjarja
Furgoni i pasagjerëve është një nga furgonat e linjës që punojnë në destinacionin nga Durrësi në Rrashbull dhe anasjelltas. Pikërisht ky furgon pasagjerësh ishte nisur nga Rrashbulli në drejtim të Durrësit dhe brenda tij udhëtonin 8 pasagjerë, ndërkohë që personi i nëntë ishte shoferi. Ndërkaq, furgoni i mallrave ishte nisur nga Durrësi në drejtim të Rrashbullit dhe në këtë furgon ndodhej vetëm shoferi i këtij furgoni, i cili udhëtonte vetëm. Nga përplasja tepër e fuqishme mes dy mjeteve, kanë mbetur të plagosur të gjithë udhëtarët e furgonit të pasagjerëve së bashku me shoferin e po kështu edhe shoferi i furgonit të mallrave. Policia, sapo ka mbërritur në vendngjarje ka bërë të mundur në radhë të parë dërgimin në spitalin e Durrësit të 10 të plagosurve, nga të cilët 4 burra dhe një grua që ishin udhëtarë janë në gjendje shumë të rëndë. Ndërkohë që 5 të tjerët janë të plagosur disi më lehtë. Më pas, policia ka marrë masa për lirimin e rrugës ku trafiku ka mbetur i bllokuar për më shumë se një orë, pasi të dy furgonat të shkatërruar plotësisht në pjesën e përparme kishin zënë tërësisht rrugën. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka hedhur dyshimet e para mbi dinamikën e saj. Sipas burimeve policore, shoferi i furgonit të pasagjerëve ka qenë në gjendje të dehur dhe ka qenë me shpejtësi mbi normat e lejuara, por përveç kësaj edhe trajektorja e lëvizjes së këtij furgoni ka qenë e çrregullt, gjë që ka sjellë edhe devijimin e furgonit në krah të kundërt, duke u përplasur mbi furgonin e mallrave me një shpejtësi të lartë. Nga fjalët e atyre që ishin dëmtuar më lehtë, policia u njoftua se disa prej pasagjerëve ishin trembur dhe kishin kërkuar këtij shoferi të ndalonte por ai ka vazhduar rrugën. Gjithsesi këto janë vetëm dyshimet e para pasi ngjarja është ende duke u hetuar nga Policia e Durrësit.

Email This Klikime: 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›