E Shtunë, 31 Tetor 2026

Civici: Shqipëria nuk është prekur nga kriza

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici i ftuar ditën e djeshme në televizionin  Ora-News deklaroi se Shqipëria nuk është e prekur direkt nga kriza. "Nuk kemi simptomat e krizës , që të na prekin në mënyrë direkte. Ne duhet t'i hymë në detaj krizës në mënyrë që të shmangen të gjitha efektet e saj", tha ai. Sipas tij është biznesi ai që po e ndjen më shumë krizën, ndaj po kërkon politika mbështetëse nga ana e qeverisë në mënyrë që ta përballojë këtë krizë ekonomike. "Rreziku i efektit të krizës, duke përfshirë edhe emigracionin shqiptar, mund të prekë sidomos sektorin e turizmit në Shqipëri", tha ai. Sipas Civicit, qytetarët shqiptarë duhet të depozitojnë paratë e tyre në banka sepse në Shqipëri ka një sistem bankar të sigurtë. Lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria për krizën, Civici theksoi se përderisa nuk jemi një vend në krizë, nuk ka si se të merren masa rrënjësore për të. Sipas tij, pozitive është që edhe fondi i kontigjencës, është deklaruar se mund të përdoret edhe për krizën. "Ne duhet të shqetësohemi nëse kemi apo jo një skenar për krizën nëse prekemi, cilat janë masat që do merrnim ne në rast krize, dhe këtë nuk duhet ta bëjë vetëm qeveria, por edhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile", nënvizoi ai. Lidhur me reagimin e lekut ndaj monedhës së huaj, ekonomisti tha se "Në raport me dollarin dhe euron, leku është dobësuar pak, por nuk ka vend për t'u shqetësuar. Mendoj se është diçka konjukturale e këtyre ditëve, në muajin janar edhe tregu financiar ka rregullat e vetë kërkesë-ofertë, që mund të çojnë në disproporcion mes monedhës vendase e asaj të huaj", tha ai.

Email This Klikime: 18

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›